Anglia

Anglia synon t’i japë fund pritjes prej 58 vjetësh

Anglia është prej favoriteve për ta fituar Kampionatin Evropian në Gjermani dhe kështu t’i jap fund pritjes për trofe të madh. Së fundi anglezët kanë fituar trofe të rëndësishëm në vitin 1966, kur u shpallën kampionë botërorë.

Ekipi i Gareth Southgate fillon kampanjën ndaj Serbisë, të dielën. Ndeshja e Grupit C zhvillohet nga ora 21:00 në Gelsenkirchen.

Anglia është favorite e madhe në ndeshjen që është vlerësuar “e rrezikshmërisë së lartë” për shkak të frikës nga përplasjet e tifozëve.

Duke përjashtuar penalltitë, Anglia ka humbur vetëm një prej 18 ndeshjeve të fundit në Kampionate Evropiane. Në Evropianin e kaluar anglezët u mposhtën në finale nga Italia, pas gjuajtjes së penalltive.
Shpresat e Anglisë mbështeten te Jude Bellingham, që ka kompletuar një edicion debutues shumë të mirë te Real Madridi.

Natyrisht pritet shumë edhe nga sulmuesi dhe kapiteni Harry Kane.

“Të drejtosh vendin tënd në një ngjarje të madhe është nder i madh dhe privilegj. Jam aq i entuziazmuar sa isha para Botërorit 2018, nëse jo më shumë. Ka shumë ekipe të mira në këtë Evropian”, ka thënë selektori i Anglisë, Gareth Southgate.

Edhe Kane ka folur me krenari për prezantimin e Anglisë.

“Më pëlqen të luaj për vendin tim. Më pëlqen të luaj për Anglinë. Do të thotë e gjithë bota për mua, sa herë që dal në fushë duke mbajtur këtë fanellën. Triumfi në një turne të madh me Anglinë, do të ishte kulmi për secilin nga ne”, ka thënë Kane.