Ben Andoni

Andoni: Kosovës i ikën kohë të mira prej ngurtësisë së Kurtit në dialog, sivjet të jetë racional e të llogarisë në aleatët

Publicisti shqiptar, Ben Andoni thotë se nënshkrimi i mundshëm i Marrëveshjes me Serbinë në Samitin e Këshillit Europian në mars, do të ishte një cak optimist për ta mbërritur Kosova këtë vit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Ai pret që BE-ja pas zgjedhjeve të reja europiane do të ketë njerëz të ri që do t’i japin tjetër dinamikë dialogut, por nuk pret që në SHBA do të vijë një president që e njeh Kosovën më mirë sesa Joe Biden. Nga Kosova thotë se pret racionalitet dhe “të llogarisë në ndihmën e aleatëve”, pasi sipas tij, në vitin 2023, asaj i ikën kohë të mira në lidhje me dialogun për shkak të “ngurtësisë së qeverisë”.

Andoni në një intervistë me shkrim për Gazetën Express nuk shprehet shumë optimist për mundësinë e hapjes së dyerve për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për të marrë njohjen nga pesëshja e BE-së në këtë vit të ri.

“Dua që Kosova të marrë më të mirën në 2024 dhe mbi të gjitha të respektojë sa më shumë kushtet e liberalizimit të vizave. Ky mbase do të përbëjë një premisë të re, nga ku mund të hapen dritare për organizatat. Ëndërroj për Kosovën, që këtë vit të nisë procedurat për Kartën e Adriatikut, që do të thotë të jetë gati në paradhomën e NATO-s, hapësirën ku e meriton të jetë. Për këtë duhet ndihma e madhe e Shqipërisë dhe Kroacisë. Do të ishte vërtetë një gjë e madhe për Kosovën”, thotë ai.

Flet edhe për marrëdhëniet jo të mira ndërmjet kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama, që sipas tij do të qëndrojnë të tilla “bajagi shumë”. Të dyve do të duhet t’u përshtaten interesat, sipas Andonit, që t’i përmirësojnë raportet.

Intervista e plotë:

Kosova në vitin 2023 u përball me tensione të shumta në veri të vendit. A ia doli mbarë sipas jush?

Ben Andoni: Qysh prej vitit 2022, Kosova përballet me bllokime të vazhdueshme dhe presione të strukturave paralele serbe në veri. Shqetësimi është se kurba e agresionit serb është ende në ngjitje dhe akoma nuk po shohim shenja të zbritjes së saj. Serbia po duket se do të krijojë sërish probleme, intensiteti i të cilave është ende i vështirë për t’u parashikuar.

Më duket se protagonizmi i z. Sveçla dhe teprimi i publikimit të gjërave prej qeverisë dhe z. Kurti, sidomos në rastin “Banjska” më shumë e ka zbehur përpjekjen e forcave të sigurisë së Kosovës. E para, se duhej që më parë informacionin, në mendimin tim, ta ndanin me Aleatët (që na kanë ndihmuar shumë) dhe ta kthenin të gjithë informacionin në një aset, që do u duhej përballë mëtimeve të Serbisë. Ndërkohë është menduar më shumë për protagonizëm të z. Kurti dhe atij Sveçla.Nga ana tjetër, “Bajnska” nuk u shfrytëzua si duhet nga autoritetet e Kosovës, përveç se ngritën kultin e tyre dhe u ngritën mbi çdo gjë, madje edhe nga puna e Forcave të sigurisë dhe KFOR-i, që meritonin të gjithë meritën.

Po mendoj se forcat speciale e sprovuara në vështirësi të Kosovës dhe AKI e kanë përballur situatën, falë cilësive të larta operacionale, që kanë marrë dhe përsosur me kohë. Mënyra sesi kanë përballur Bajnskën dhe bashkëpunimi me KFOR-in duhet konsideruar shumë i arrirë. Forcat e sigurisë të Kosovës po mbajnë gjithashtu një barrë shumë të madhe psikologjike me alarmet që po vijnë nga veriu dhe sidomos nga Serbia, por shqetësimi më i madh është se ata mbajnë një tension të jashtëzakonshëm edhe brenda vendit, me veshët e mbyllura të autoriteteve të Kosovës. Do të doja që autoritetet e Kosovës të ishin më të vëmendshme për problematikat dhe kushtet që kërkuan së fundmi, këto forca. Janë barrikada e parë përballë aksioneve, incidenteve të vazhdueshme serbe dhe kjo duhet pasur parasysh mirë.

Zbatimi i marrëveshjes për normalizimin Kosovë-Serbi që u arrit në fillim të vitit 2023 nuk u zbatua ashtu siç deshën nderkombetaret, por a kishte ndonjë gjë të rëndësishme që u arrit përmes saj në funksion të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve?

Andoni: I shërbeu shumë populizmit të Vuçiqit dhe Kurtit për retorikat e tyre të brendshme, pasi zyrtarizimi i marrëveshjeve, në rastin më të mirë, do të marrë ende edhe shumë javë. Në mendimin tim, s’është arritur ndonjë gjë e madhe, përveç faktit që BE-ja e ka bërë të qartë sërish edhe se detyrimet e këtyre marrëveshjeve do të përfshihen në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në BE dhe pikërisht në Kapitullin 35, ashtu si do të jenë edhe pjesë e kushtëzimeve të rrugës së Kosovës drejt BE-së. Të paktën tashmë është një hulli, që të dyja palët e kanë konsideruar se mund të negociojnë.

A konsideroni se kjo marrëveshje ia zgjidhi ndonjë çështje Kosovës, apo ia komplikoi edhe më shumë pozicionin në dialogun me Serbinë?

Andoni: Nga letra e fundit e znj. Bërnabiç kupton se Serbia megjithëse është dakordësuar në parim me marrëveshjen, nëse do të konfirmohet edhe me firmë apo angazhim tjetër dypalësh, do të shkaktojë sërish probleme dhe përpjekje për fitimin e kohës. I vetmi përfitim duket se: statuti i Asosacionit do të trajtohet si dokument i brendshëm i Kosovës, që do të thotë se pala kosovare mund ta firmosë me draftimet që duhen për interesat e saj. Anipse, kjo duhej bërë kohë më parë, pasi Serbia ka të ngjarë t’i zgjasë dhe më tepër afatet me pretendime, që do të ndikojnë dhe tek statusi, ndërkohë që shumë shpejt, interesi i zyrtarëve të tanishëm të BE-së ka të ngjarë të bjerë, pasi angazhimi maksimal do jetë për fushatën e saj të zgjedhjeve. Mos të harrojmë edhe faktin se Serbisë do t’i duhet kohë të konfigurojë qeverinë e re, që do të thotë se fiton apriori kohë për obligimet, që ka në përgjithësi për marrëveshjen. Po mendoj se Kosovës i kanë ikur kohë të mira prej ngurtësisë së qeverisë “Kurti”, lidhur me dialogun, pa përfshirë këtu rolin shumë negativ të Serbinë në çdo qasje me Kosovën.

Çfarë shkoi keq dhe çfarë mund të bënte më mirë përgjithësisht Qeveria Kurti dhe veçanërisht në dialogun me Serbinë?

Andoni: Nuk besoj se ka një recetë që është e saktë, kur kupton dhe realizon se BE-ja ka ka ndryshuar disa herë rregullat e lojës. Është ende shumë e vështirë për të përcaktuar dhe mbi të gjitha të kuptosh dinamikat e qëndrimit të palës serbe. Por, z. Kurti duhej të kufizohej me qëndrimin ndaj aleatëve kryesorë të Kosovës dhe mbi të gjitha nga diskursi shumë i vështirë disa herë me SHBA dhe të fitonte më shumë kohë. Që do të thotë, të jetë më i hapur ndaj opozitës dhe të mos e anatemojë, por edhe të dëgjojë shumë më tepër.

Në këtë çështje kryeministri Edi Rama u përfshi duke propozuar një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A bëri mirë?

Andoni: Çdo kontribut është i mirëpritur dhe sidomos nga Shqipëria, por mungesa e transparencës nga ana e kryeministrit Rama dhe mbi të gjitha moskonsultimi me kolegët kosovarë është dhe konsiderohet i tepërt. Personalisht, më është dukur i lodhshëm edhe mendimi i zyrtarëve të BE-së për draftin e tij, me lavdërimet, ndërkohë që drafti është thjesht problem i brendshëm i Kosovës, që detyrohet edhe nga marrëveshja e fundit, ashtu si edhe ato para saj. Në rastin “Rama” do të thotë se qeveria e Kosovës jo vetëm duhej të konsiderohej, por duhej të pyetej dhe t’i relatohej në çdo hap. Tirana zyrtare mund të ndihte më shumë sikur të sponsorizonte kapital monetar dhe specialistësh, që në bashkëpunim me Kosovën ta ndihnin realizimin e një drafti të shumë-pranuar.

A mendoni se Shqipëria do të përshihet sërish në çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Andoni: Patjetër. Problemi i Kosovës përdoret shpesh për kapital në Tiranën politike. Por paradoksi është se një sy dhe mëndje e kthjellët kupton lehtësisht se nuk njihet thellësisht historia, politika dhe antropologjia e saj. Që do të thotë se Kosova do të jetë në diskursin e politikës shqiptare të këtej kufirit për të fituar pikë nacionaliste, që e trallisin publikun, por që në fakt nuk tregojnë ndonjë interesim real për çështjet e saj. Në fakt, politikanët e sotëm thjesht e përdorin Kosovën kur u duhet, kurse pothuaj nuk ndihen fare në vazhdimësi për të. Kjo po ndodh këto ditë, ku gjyqi i Berishës ka zeruar çdo interes për Kosovën dhe lajmet për të!!! Kurse politikanët e shfrytëzojnë lidhjen me qeverinë Kurti, për të treguar kundërshtitë me njëri-tjetrin. Që do të thotë se: Opozita është pro Kurtit për çdo gjë, qoftë dhe e padrejtë (kjo ndodhi kur u këshillua nga Aleatët), kurse anasjelltas, qeveria mban një qëndrim deri diku të diferencuar, paçka se ka bërë një seri takimesh bilaterale. Por, në aspektin e jashtëm, Kosova do t’i duhet Ramës për t’u shprehur për probleme të karakterit gjeostrategjik dhe ta përshfaqë atë personalisht si figurë me vizion shumë të lartë. Jo pak herë, Rama ka folur drejt dhe me guxim për Kosovën, ashtu si shpesh e ka përdorur atë për retorikën e vet.

Gazeta Express: Raportet Kurti-Rama lënguan për shkak të kësaj përfshirjeje, ashtu siç pati thënë edhe vetë kryeministri i Kosovës në një rast. A ka shpresë se mund të përmirësohen?

Andoni: Do të jetë e vështirë me këtë nivel protagonizmi që kanë veç e veç Rama dhe Kurti. Tashmë po bëhet e lodhshme sjellja e tyre, pasi kjo bie ndesh me interesat e dy vendeve tona, ku arti po bën mrekulli me bashkëpunimet e veta, ashtu si disa bashkëpunime të tjera, por që ende mbetet shumë për të bërë për një treg të përbashkët dhe lidhje më të afërta dhe përfituese nga të dyja anët. Jam shumë skeptik që marrëdhëniet tona të përmirësohen, nëse Rama me Kurtin vazhdojnë të mendojnë se mund ta shfrytëzojnë njëri-tjetrin për interesat e tyre pragmatiste. Por lëngimi zakonisht zgjat gjatë dhe duket se edhe në rastin Kurti-Rama do të zgjasë bajagi shumë. Mjekimi që mund të vij është pragmatizmi që na shërben bashkërisht, por që nënkupton se të dyve duhet t’u përshtaten interesat.

Çfarë prisni të ndodhë në këtë vit të ri? Deri ku mund të ecet në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

Andoni: Një cak optimist do të ishte nënshkrimi i Marrëveshjes me Serbinë në Samitin e Këshillit Evropian, që do të mbahet më 21 dhe 22 mars të vitit 2024, por për këtë duhet që Serbia të kishte një qeveri, gjë e cila duket shumë e vështirë. Pres që BE-ja të ketë pas zgjedhjeve njerëz të ri që t’i japin dinamikë ndryshe dialogut dhe mbi të gjitha zgjedhjet në SHBA të japin një president, që do t’i kushtojë kujdes Kosovës. Ashtu si nuk pres që të kemi president amerikan që e njeh Kosovën më mirë se Biden. Shpresoj që marrëdhëniet më ndryshe të ç’tensionojnë përgatitjet e palës serbe dhe të arrihet t’i bëhet presion të respektojë aktet e Marrëveshjes së Kumanovës, ashtu si pres që dialogu nga ana e Kosovës të jetë racional dhe të llogarisë ndihmën e aleatëve. Uroj që Serbia ta pranojë statusin e Kosovës, atë moment që nisi ta bëjë me nënshkrimin e pikës së parë dhe zbatimin fillestar të Marrëveshjes së Prillit 2013, e cila ndihu me avancimin thelbësor në marrëveshjet e ndryshme bilaterale, mbërritur në kuadër të dialogut.

A mund t’i hapen dyert Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombetare apo për të marrë njohjen nga pesëshja e BE-së? Si do të bëhej e mundur kjo?

Andoni: Do të jetë shumë e vështirë, pa u bërë zgjedhjet në BE dhe pa ndërrimin e kursit serb, që më duket shumë i dyshimtë me këtë konfigurim të pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Pres që gjashtë muajt e parë Serbia të jetë e bllokuar, që do të thotë se indirekt do pengohet dhe Kosova. Kurse sa për njohjen e pesë vendeve të BE-së e shoh gjithnjë e më të largët dhe nuk kam asnjë iluzion për këtë, kur lexojmë qëndrimet e tyre. Dua që Kosova të marrë më të mirën në 2024 dhe mbi të gjitha të respektojë sa më shumë kushtet e liberalizimit të vizave. Ky mbase do të përbëjë një premisë të re, nga ku mund të hapen dritare për organizatat. Ëndërroj për Kosovën, që këtë vit të nisë procedurat për Kartën e Adriatikut, që do të thotë të jetë gati në paradhomën e NATO-s, hapësirën ku e meriton të jetë. Për këtë duhet ndihma e madhe e Shqipërisë dhe Kroacisë. Do të ishte vërtetë një gjë e madhe për Kosovën.

VIDEO BONUS: Zgjim Hyseni: PSD e gatshme të hyjë në zgjedhje kurdo që ato mbahen