Alma Lama përkrahë përfshirjen e Albright në dialog: E njeh mirë rajonin dhe është protagoniste në luftën e Kosovës

Ish- ambasadorja e Kosovës në Itali dhe ish- diplomatja, Alma Lama, ka thënë se 2020-ta ishte viti më problematik për Kosovën në rrafshin diplomatik.

Lama në një intervistë për Ballkani.info., ka folur rreth dialogut Kosovë- Serbi dhe përfshirjes së Albright në të, si dhe mundësinë  e kërkim faljes së Serbisë për krimet në Kosovë.

Si një ish- deputete e Kuvendit të Kosovës, Lama ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, gjersa shton se ndjehet mirë që njerëzve i mungon zëri i saj.

Si e keni parë Kosovën në rrafshin diplomatik gjatë vitit 2020?

Viti 2020 mund të thuhet pa frikë se ka qenë viti më problematik për Kosovën në rrafshin diplomatik dhe mund të thuhet se ka shënuar pikën më të ulët të marrëdhënies së Kosovës me partnerin kryesor ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara.

Kjo lidhet me raportet e qeverisë Kurti me të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë Richard Grenell, i cili në një mënyrë aspak diplomatike kërkonte arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë pa marrë parasysh kompleksitetin e problemit, por nga ana tjetër edhe Kurti nuk u tregua fort diplomat, duke i bërë publike përplasjet me Grenell dhe administratën amerikane, dhe duke përdorur fjalor aspak diplomatik për Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se ajo sot udhëhiqet nga një president atipik. Presidenti Trump është kritikuar gjerësisht për qasjen e tij ndaj konflikteve ndërkombëtare dhe vendimet e marra në lidhje me disa nga problemet më të mprehta në botë, e po kështu edhe për raporet me BE-në. Sidoqoftë, asnjë qeveri e Kosovës nuk është në pozitën të përplaset hapur apo mbyllur e SHBA-në, por natyrisht duhet të mbrojë interesat e veta. Imponimi për të hequr tarifën dhe presioni për arritjen e një marrëveshje në interes të  fushatës së presidentit amerikan nuk kanë qenë fort të moralshme, por kriza e raporteve ta acaruara u tejkalua me ardhjen e qeverisë Hoti. Vetë marrëveshja e nënshkruar me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ishte një vazhdimësi e procesit të Brukselit dhe Berlinit, dhe nuk pati ndonjë plan për ndarjen e Kosovës për të cilin fliste Kurti.

Pika tjerë e ulët e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, padyshim ishte ngritja e aktakuzës për ish-krerët e UÇK-së, bërja publike  kësaj aktakuze që ndikoi në anulimin e takimit në Washington, pasi ish-presidenti Hashim Thaçi, u detyrua të zbresë nga avioni, rrugës për në Washington. Ky ishte një poshtërim për Hashim Thaçin dhe planet e tij për shkëmbime territoriale me Serbinë, por ishte edhe një goditje për vetë Kosovën, pasi bota mori vesh se presidenti i saj akuzohet për rreth 100 vrasje, krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Për sa i përket diplomacisë kosovare, drejtimi i MPJ-së nga Behgjet Pacolli i ka sjellë dëme të pariparueshme vendit, mbi të gjitha 15 njohjet e tërhequra që është e vështirë të kompensohen nga çdo qeveri. Një punë më serioze ka bërë ministrja aktuale, Haradinaj, por diplomacia e Kosovës nuk ka një strategji të qartë se cilat janë prioritet e saj, qëllimet objektivat. Më shumë është diplomaci reaguese ndaj aksioneve të Serbisë dhe diplomaci e tipit ad hoc. Kosova duhet të koordinohet në çdo hap me SHBA-në dhe BE-në, por duhet të ketë edhe synimet e saj të qarta në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas mendimit tim, ajo duhet të mos humbë shumë energji për njohje nga çdo shtet i botës, pasi në fund të ditës edhe nëse këto njohje vijnë, do të varet nga Këshilli i Sigurimit anëtarësimi në OKB, dhe ne i kemi dy kundërshtarë të fuqishëm aty, Kina dhe Rusia që nuk lëshojnë pe për shkak të interesave të tyre gjeopolitike. Përqendrimi duhet të jetë të raportet me vendet jo njohëse të BE-së dhe anëtarësimi në NATO.  Hapi i parë drejt suksesit është të dish vetë çfarë do, hapi tjetër është të punosh për të, e mbi të gjitha në dialogun me Serbinë të ketë kërkesa të qarta të shtruara nga ana e përfaqësuesve të Kosovës.

Daniel Serwer ka paralajmëruar për angazhimin e mundshëm të Albright në dialogun Kosovë-Serbi, si e shihni një mundësi të tillë?

Do të ishte fat i madh që zonja Albright të angazhohej në këtë dialog. Ajo e njeh mirë rajonin dhe është protagoniste në luftën e Kosovës. Nuk e di sa i mundshëm do të jetë angazhimi i saj i drejtpërdrejtë, por me ardhjen e administratës Biden, zëri i saj me siguri do të dëgjohet. Po ashtu gjasat janë që për Serbinë të konsiderohet një zgjidhje e papranueshme, por zonja Albright është një diplomate e shkëlqyer, ka autoritetin dhe kredencialet e duhura për të mbyllur përfundimisht kapitullin e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Por kam besim se këdo emisar që do të emërojë presidenti i zgjedhur Biden, do të ketë kredencialet dhe njohuritë e duhura për konfliktin. Edhe për vetë presidentin Biden, që e njeh mirë rajonin, mbyllja e këtij kapitulli besoj se do të jetë prioritet.

A do t’i zbatonte marrëveshjet Serbia me prezencën e Albright?

Serbia ka vërtetuar gjatë këtyre 20 viteve të pasluftës se ende nuk është në gjendje të respektojë asnjë marrëveshje, duke filluar nga ato që nënshkruanin krerët e UNMIK-ut me ta, deri te marrëveshja e Ahtisarit që nuk e firmosën, apo ajo e prillit të vitit 2013. Serbia nuk ka respektuar asnjë marrëveshje të arritur gjatë dialogut të Brukselit, por duke iu përgjigjur pyetjes suaj, procesi i kushtëzimit nëse do të jetë më i fortë, dhe nëse asaj do t’i pamundësohet që të hajë me dy lugë, edhe me perëndimin, edhe me Rusinë e Kinën, besoj se do të detyrohet të respektojë marrëveshjet.

A do të ndikojë Albright që Serbia ta njohë Kosovën apo edhe të kërkojë falje për krimet në luftë?

Njohja do të ishte hapi i fundit, por deri aty është e rëndësishme, që Serbia të detyrohet të heqë dorë nga shkelja e sovranitetit të Kosovës dhe të heqë dorë nga instrumentalizmi i komunitetit serb. Unë jam për mos lëshim pe për asnjë pikë në raport me rregullimet e brendshme në Kosovës, dhe as në raportet jashtme me të, pasi ajo do të vazhdojë të nxjerrë kërkesa për të defunksionalizuar dhe zhbërë shtetin e Kosovës.  Për sa i përket njohjes, ky më duket se do të jetë proces më i gjatë, dhe kërkon një ndryshim brezash dhe mentaliteti në Serbi. Por mendoj se procesi i anëtarësimit në BE duhet të shoqërohet hapur nga ky kusht, që s’ka anëtarësim pa njohje. Në këtë rast bashkëpunimi me SHBA-në dhe vendet e BE-së është esencial për Kosovën. Nga ana tjetër kërkim falja për krimet e luftës, nëse nuk bëhet me bindje, por me imponim, nuk më duket se ka ndonjë vlerë të madhe. Nëse pjesa më e madhe e politikës dhe popullit serb nuk ndërgjegjësohet për fajësinë e tyre për krimet e tmerrshme që e kanë kryer në Kosovë, raportet mes dy popujve do të vazhdojnë të karakterizohen nga urrejtje dhe mosbesimi.

Sa do të ndikojnë zgjedhjet e reja në dialogun Kosovë- Serbi, duke e ditur se “temë e nxehtë”, pritet të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe, kusht ky që sipas BE-së do t’i përmbyllë raportet historike Kosovë- Serbi?

Kosova është në pritje të administratës Biden dhe bashkëpunimit me të edhe për dialogun. Sot,ato takime të dialogut që po ndodhin janë sa për të thënë, pasi nuk kanë ndonjë peshë. Unë pres që subjektet politike gjatë fushatës do t’i shmangen temës së dialogut dhe asosacionit, ndërsa qeveria e ardhshme do të përballet. Gjëja më e dëmshme që mund t’i ndodhë Kosovës në lidhje me këtë temë është ringjallja e qëndrimeve folklorike e revanshiste ndaj njëri-tjetrit, patriotizmit falco që synon mbledhjen e votave dhe jo zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Qasja ndaj dialogut kërkon unitet qëndrimesh e maturi, prandaj gjetja e gjuhës së përbashkët ndërmjet subjekteve politike në lidhje me dialogun me Serbinë është e domosdoshme. Sa për asosacionin, dihet synimi i Serbisë, që është një plan i vjetër për krijimin e lidhjeve territoriale mes komunave serbe, duke iu dhënë atyre kompetenca shtesë, apo duke krijuar një nivel të tretë të pushtetit. Komunat serbe, me pakon e Ahtisatit kanë më shumë kompetenca se komunat shqiptare në polici, shëndetësi arsim e etj. Por Serbisë i intereson përthyerja e brendshme e Kosovës.

Ka kohë që nuk jeni ambasadore në ndonjë vend, a e keni menduar të aderoni në ndonjë parti politike, apo edhe të kandidoni si deputete në zgjedhjet 2020?

Unë kam qenë deputete e LDK-së dhe në këtë cilësi kam shkuar si ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, pra duke lënë mandatin si deputete, mandati  cilit fitohet drejtpërdrejt nga populli, e nuk mund të krahasohet me një post diplomatik.  Për hir të së vërtetës, këto ditë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shkuar në zgjedhje,  pyetjen që ma bëni ju ma kanë bërë me dhjetëra miq e përkrahës të mi, pra nëse do të kandidoj në listë për deputete. Më bën të ndihem mirë kur njerëzit më thonë se na mungon zëri yt në Parlament e që duan angazhimin tim në politikë. Është një lloj motivimi i nevojshëm për angazhim politik, nëse synimin e kë që të japësh kontributin për vendin tënd. Unë së shpejti do të marr një vendim, i cili pas një shkëputjeje disa vjeçare, nuk është dhe kaq i lehtë. Ju e dini se politika kërkon angazhim të jashtëzakonshëm e sakrifica personale e familjare./Ballkani.info./