Liburn Aliu

Aliu: Hekurudha Prishtinë – Durrës e shndërron Kosovën në një vend kryesor transit

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se hekurudha Prishtinë – Durrës, do ta kthejë Kosovën në një vend kryesor transit. 

Në një intervistë për “KosovaPress”, Aliu ka treguar për përfitimet që do të ketë Kosova nga ky projekt, ndërsa ka folur edhe për rrugën Prishtinë – Podujevë dhe rrugën për Pejë. 

“Kosova përmes linjës Durrës-Prishtinë bëhet pjesë e një rrjeti regjional, aktualisht është jashtë korridoreve. Pra, të gjithë transporti i mallrave për gjithë regjionin, qoftë në drejtim të porteve, qoftë nga portat në drejtim të regjionit arrin të bëhet përmes Kosovës. Kjo e shndërron Kosovën në një vend kryesor transitit dhe një hap apo një pik shpërndarëse të mallrave, kjo krijon mandej mundësi për zhvillim ekonomik dhe krijim të zonave ekonomike rreth përqark kësaj zone të shpërndarjes së mallrave. Të dy portet edhe Durrësi dhe Tivari që janë të lidhura, tash do të lidhen me hekurudhën mes vete, do të lidhen me Prishtinën, dhe nga Prishtina me linjën hekurudhore Prishtinë- Shkup, apo Prishtinë-Nish-Sofje, ose Prishtinë-Leshak-Mitrovicë-Salzburg, lidhet gjithë regjioni përmes këtyre”, thotë Aliu.

Ministri Aliu shprehet se janë duke punuar të përfundojë çështja e fizibilitetit në mënyrë që të realizohet sa më shpejtë projekti për hekurudhën Prishtinë-Durrës.

“Sapo te përfundon çështja e fizibilitetit e që po urojmë të përfundojë më herët, sepse opsionet tashmë janë duke u dhënë në tavolina, presim që të kemi interesimin për financim, tashmë e kemi edhe nga britanikët, gjermanët, dhe të tjerë që veç kanë lëvizur këto mekanizma, që për mua është një befasi e mirë. Nuk kam prit që aq shpejtë do të mund të ketë rritje të interesimit. Pra, nëse para tri vjetësh nuk është folur fare për këtë punë, tash është bërë temë e çdo paneli, lidhja hekurudhore e Prishtinës me Durrësin me gjithë regjionin. Nuk është çështja e financave atë që ne si ministri do e shtymë, ne do të merrem me fizibilitetin dhe projektin që ta kemi sa më shpejtë të kemi të realizuar”, shton Aliu.

Ndërsa, tregon edhe për projektet infrastrukturore që janë duke u kryer në nivel vendi, atë për Llap, Dukagjin dhe Luginë.

“Tek ujërat, pra në njërën anë është kyçja nëpër korridore është jetike për Kosovën për të ndërruar komplet faqen ekonomike të vendit, e që po ec mjaftë mirë, dhe me autostradat po ecën mirë. Pra, do të fillojmë shpejt edhe autostradën për Bujanoc që na lidh te korridori i Dheut, rruga e Podujevës po shkon mirë, rruga drejt Pejës po ashtu po shkon mirë. Kjo do të na krijojë mundësi që ne të kyçemi dhe Kosova të behet vend transit, njëjtë edhe me hekurudha, por kryesorja është uji. Kosova ka shumë pak ujë, kemi arrit të bëjmë me sukses pesë plane të fizibilitetit, dy prej tyre janë në fazën e projekteve, dizajnëve, do të fillojmë me projektet e shpronësimit për to, do të fillon realizimi e që këto pesë projektet e para, duhet të shoqërohen shumë shpejtë nga pesë fizibilitete tjera që mendojmë t’i bëjmë vitin e ardhshëm. Në projektin me Bankën Botërore e kemi komplet hartën, masterplanin e digave për vendin tonë, që duhet të jemi tepër shumë të kujdesshëm të shfrytëzimin e resurseve ujore që kemi, se pse Kosova ka resurse tepër të limituara ujore, ne kemi tepër pak ujë”, thotë ai.

Ndërkaq, ai thekson se janë duke punuar të menaxhojnë ujin që shkaktohet nga vërshime, për të cilën thotë, se në këtë mënyrë do të tejkalohet situata e thatësirave e cila Kosovën e pret pashmangshëm.

“Ndryshimet klimatike do të na rrezikojnë, dhe ato tashmë po na rrezikojnë, do të kemi vërshime nga një anë siç kemi, dhe do të shkojnë duke u shtuar, dhe në anën tjetër do të kemi thatësira. Pra, ujë të pijes, dhe ujë për ujitje të tokave nuk do të kemi, në ndërkohë që do të kemi vërshime, prandaj edhe menaxhimi i ujit të vërshimeve, grumbullimi i atij uji, dhe ndërtimit të sistemit të ujitjes që do të shërbenin edhe për bujqësinë, por edhe për ujin e pijes do të mund në njërën anë t’i menaxhojmë vërshimet, në anën tjetër ta tejkalojmë situatën e thatësirave, e cila Kosovën e pret pashmangshëm, sepse jemi pjesë e Mesdheut”, përfundon Aliu.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë qëndrimit në Kosovë, ka thënë se po punohet për projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës për opsionet më të mira. Ndërsa, ka shtuar se janë duke pritur studimin e fizibilitetit.