Albin Kurti e konfirmon se ka pranuar krijimin e Asociacionit, e mban të fshehur “modelin e tij”

Kryeministri Albin Kurti sot për herë të parë që nga e shtuna kur u takua në Ohër me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, e ka pranuar se do ta krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse që nga e shtuna e 18 marsit, ai u mundua ta mohojë se do ta themelojë Asociacionin që dikur e kundërshtonte dhe e quante me termin serb “Zajednicë”, shkruan Demokracia.com.

Kurti sot në Twitter, një rrjet jo fort i përdorur nga qytetarët se ia ka dhënë Vuçiqit një propozim mjaft bujarë.

Por ai po vazhdon ta mbajë të fshehur nga qytetarët planin e tij për “Zajednicën”, duke mos dhënë asnjë sqarim se si do të funksiononte Asociacioni që ai e ka propozuar.

“Pasi refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se ta refuzojë sërish nënshkrimin e Aneksit më 18 mars, Presidenti i Serbisë e ka refuzuar ofertën time bujare të vetëmenaxhimit të serbëve të Kosovës në një asociacion që unë do ta draftoja dhe propozoja”, ka shkruar Kurti.

Në fund, Kurti ka bërë një pyetje ironike për qasjen refuzuese të Vuçiqit.

“A është ai Doktor “Jo”-ka, ose “Mr Nyet”?, Epo, ne e dimë që ai nuk është një doktor”, ka shkruar Kurti sot.

Termi “Mr Nyet” (ose Zotëri “JO”) është një referencë për ish-diplomatin sovjetik, Andrei Andreyevich Gromyko, pasi përdorimit të rregullt të vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kujtojmë se javë më parë Kurti në Kuvendin e Kosovës i ka paraqitur gjashtë kushte për krijimin e “Zajednicës”, e të cilat u harruan dhe nuk u përmendën kurrë më.

1.Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Ndryshe, më 18 mars,  Kurti dhe Vuçiq u takuan në Ohër të Maqedonisë së  Veriut.

Në takimin që zgjati më shumë se shtatë orë, u tha se palët arritën marrëveshje rreth Planit të Zbatimit të Planit Evropian për dialogun.

Me përmbajtjen e Planit Evropian, palët veç ishin dakorduar më 27 shkurt 2023 në një takim në Bruksel. Pas kësaj, palëve u kishte mbetur arritja e marrëveshjes për mënyrën e zbatimit të këtij plani, gjë për të cilën u takuan në Ohër. Si takimi i 27 shkurtit edhe ky në Ohër u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian (BE), ndërsa u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe vendet e QUINT.

Plani Evropian përbëhet prej 11 pikash, ku, mes tjerash, përfshihen: njohja reciproke e dokumenteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore; njohja e integritetit territorial të njëra-tjetrës; dhe sigurimi i “një niveli të përshtatshëm”të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Plani i Zbatimit, që u aprovua e s’u nënshkrua në Ohër, thotë se Plani Evropian dhe Plani i Zbatimit do të bëhen pjesë kyçe e proceseve të anëtarësimit të këtyre dy vendeve në BE dhe se cilido mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të rezultojë në sanksione në procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe në ndihmën financiare nga BE.

Në Planin e Zbatimit parashihen dy afate kohore. Ai parasheh që brenda 30 ditësh shtetet të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE, që do të sigurojë dhe mbikëqyrë zbatimin e të gjitha dispozitave.

Po ashtu, sipas Planit, nëse brenda 150 ditëve, të gjitha dispozitat e Marrëveshjes implementohen plotësisht, BE do të organizojë konferencë të donatorëve për të krijuar një paketë të investimeve financiare për Kosovën dhe Serbinë.