Abrashi: Rishikimi i buxhetit krijon stabilitet ekonomik, punëtorëve do t’u dalin 170 eurot e premtuara

Deputeti Gazmend Abrashi ka folur në emër të AAK-së, në seancën urgjente të Kuvendit të Kosovës për votimin e rishikimi të buxhetit. Abrashi ka thënë se rishikimi i buxhetit hap rrugën për një stabilitet ekonomik dhe shpërndarjen e parave të premtuara për punëtorët dhe bizneset.

Abrashi ka shprehur shqetësim për gjendjen ekonomike në vend, duke thënë se pandemia ka shkaktuar rënië të aktivitetit ekonomik, si dhe ka thënë se projeksionet parashohin rënie prej 232 milionë eurosh te të hyrat tatimore.

“Masat e marra për luftimin e pandemisë Covid-19 kanë shkaktuar rënie të aktivitetit ekonomik në vend, e kjo po reflektohet në të hyrat e buxhetit të vendit dhe me një situatë të vështirë ekonomike me të cilën veçanërisht po ballafaqohet sektori privat. Buxheti i vendit sipas projeksioneve do të ketë rënie të të hyrave tatimore në vlerë prej 232 milion euro për këtë vit, por trendi mundet me qenë shumë më i madh”, ka thënë ai.

Duke i dhënë përkrahje rishikimit të buxhetit, ai ka thënë se ky vendim mund të sigurojë stabilitet buxhetor.

“Rishikimi i buxhetit është bërë i domosdoshëm që të mund të sigurojmë stabilitetin buxhetor të vendit dhe të mundësohet reagimi adekuat në kërkesat e kohës kur po ballafaqohemi me Pandeminë dhe krizën ekonomike në vend. Me rishikim të buxhetit është paraparë që shpenzimet buxhetore nga 2 miliardë e 357 milion euro sipas buxhetit aktual, të ngriten në 2 miliardë e 772 milion euro”, ka theksuar Abrashi.

Abrashi ka thënë se përveç tjerash me rishikim buxheti mund të procedohen edhe pagesat e vonuara prej 170 eurosh për punëtorët e sektorit privat dhe pagesat 50% të qirave.

“Me këtë rishikim të buxhetit do të mobilizohen rreth 600 milion euro për të mbuluar mungesën e të hyrave tatimore prej 232 milion eurove dhe të dedikohen 385 Milion euro për vitin 2020. Rishikimi i Buxhetit do të mundësoj që menjëherë të procedohet me pagesat e vonuara prej 170 euro për punëtoret e sektorit privat dhe pagesat e 50% të qirave për dy muaj siç ka qenë e paraparë në pakon emergjente. Mjete të cilat ka kohë që po i presin punëtorët e sektorit privat në Kosovë”, ka thënë ai