A po tenton Enver Hasani t’i hyjë në hatër VV-së? Ja qëndrimet e tij kontradiktore

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duket se i ndërron fjalët ashtu siç i konvenon.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare gjatë një interviste para dy vitesh për gazetën “Zëri” kishte thënë krejt të kundërtën e asaj që dje e tha në Pressing të T7.

Hasani dje tha se Vetëvendosjes i takon dy herë opsioni i krijimit të qeverisë së re dhe që nëse nuk votohet ajo qeveri atëherë shkohet në zgjedhje të reja, por para dy vitesh nuk kishte thënë kështu.

“Për dallim nga Maqedonia e Veriut, ku kandidati fitues duhet që të bindë presidentin për të marrë mandatin, në Kosovë dispozitat kushtetuese kanë diferencë dhe se sipas neneve duhet që mandatari të jetë dy herë nga grupi apo partia fituese. VV dy herë provon të bëjë qeverinë, nëse nuk bëhet shkohet në zgjedhje të reja”, ka thënë Hasani.

Por, para dy vitesh, Hasani e kishte thënë krejt të kundërtën e kësaj.

Ai kishte thënë se PAN-i do ta ketë vetëm një tentim për ta krijuar qeverinë. Herën e dytë mandatarin presidenti, megjithëse e ka në diskrecion të tij, duhet t’ua japë atyre që kanë shumicën parlamentare.

“Në të kundërtën ai do të bënte shkelje kushtetuese”, kishte thënë Hasani, transmeton Ballkani.info.

Por, në intervistën e dhënë për Zërin më 14 qershor 2017, në pyetjen se si mund ta marrë mandatin partia e dytë, që ka dalë në këtë rast lëvizja “Vetëvendosje”, nëse PAN-i nuk arrin t’i bëjë numrat, Hasani kishte thënë ndryshe.

“Nuk është çështja se a e merr apo jo. Këto janë procedura të paracaktuara. Herën e parë i takon partisë apo koalicionit që ka më së shumti ulëse, kurse herën e dytë presidenti duhet t’i thërrasë të gjitha formacionet politike dhe të merret vesh me ta në kuadër të funksionit të tij neutral, sepse duhet të jetë neutral ndaj të gjithëve. Ai duhet të jetë garantues i funksionimit normal të institucioneve. Nëse nuk i arrin këto, atëherë ai bën shkelje kushtetuese”, ishte përgjigjur Hasani.

Ndërsa, i pyetur nëse ishte vepruar kështu edhe në vitin 2014,  Hasani kishte thënë se atëherë nuk ka pasur vendim.

“Jo, sepse nuk ka pasur vendim. Gjykata e ka interpretuar kështu dhe tani vlen vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ajo që përcaktohet saktë është kjo, se presidenti bën shkelje kushtetuese nëse përjashton partinë e dytë, të tretë, të katërt apo me radhë. Nuk mund ta përjashtojë askënd”, ishte përgjigjur Hasani.

Kjo nuk është hera e parë që Enver Hasani bëhet kontradiktor publikisht. /Ballkani.info/