“Ministrja fyen deputetët e ti po hesht” , “Po më çudisni pak, me qindra herë i keni thënë kryeministrit hipokrit” – debat mes Hotit e Konjufcës për gjuhën në Kuvend

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancën e radhës, ku është diskutuar për menaxhimin e parqeve industriale.

E për një fjalim të deputetes së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk është pajtuar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti kritikoi ministren për fjalorin e përdorur ndaj deputetëve të opozitës, pasi që ministrja u tha deputetëve opozitarë “mos u bëni hipokritë” dhe “hipokrizia nuk është e mirë për këtë parlament”.

Deputeti i LDK-së tha se ministrja ka fyer deputetët, derisa kritikoi kryeparlamentarin Glauk Konjufca për mosreagim për fjalorin e ministres Hajdari.

“A jeni duke parë ku e keni degradua debatin. Ti i shtron disa argumente dhe ministrja që mbulon një sektor të caktuar nuk është në gjendje as me i kuptu ato dhe del në foltore dhe fyen deputetët dhe kryetari i kuvendit nuk ju tërheq vërejtjen. Këtu ka pasur ballafaqime të ashpra por ka pasur një nivel të ruajtjes së dinjitet dhe integritetit personal dhe të ministrit, e deputetit. Nuk e di ku doni me shku me këtë lloj sjellje dhe këtë model që e keni rrënjosur në këtë Kuvend dhe shpresoj të marrë fund së shpejti”, tha Hoti.

Pas kësaj reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai tha se po çuditet nga deputetët e opozitës në këtë rast.

“Sa i përket fjalorit parlamentar po më çudisni pak, sepse me dhjetëra herë në mos me qindra ju keni referuar kryeministrit hipokrit, mashtrues e gënjeshtar si deputetë opozitarë. Pse nuk ma kujtonit atëherë që është gjuhë joparlamentare”, tha Konjfuca.

Ai më tej shtoi se përdorimi i këtyre fjalëve mbetet nën ndërgjegjen e secilit.

“Unë e di shumë mirë çfarë jam duke bërë. Kur e toleroj këtë për ju dhe kur është toleruar vazhdimisht në Kuvend të Kosovës, për këto terminologji që i përdorni nuk mund t’ua ndaloj fjalën, për këto duhet ta keni ndërgjegjen vet të keni kujdes qysh e trajtoni kolegun. Kjo mbetet një diçka që i përket kulturës tuaj se si e përdorni”, tha Konjfuca. /Telegrafi/