Lëndohet Zhegrova, a do të luajë në ndeshjen e nesërme?
Kombëtarja e Kosovës nesër me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta zhvillojë ndeshjen e tretë në sezonin e sivjetmë të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së Veriut.
Trajneri Alain Giresse, bëri të ditur gjatë konferencës për media se ekipi po përballet me mungesa e megjithatë ai tha se do të përpiqen të bëjnë paraqitje të mirë.
E pas stërvitjes së sotme “Dardanëve” iu shtua edhe një telashe.
Gjatë stërvitjeve u lëndua edhe futbollisti Edon Zhegrova.
Ai do të jetë në dyshim për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut.
Njoftimi u bë nga Federata e Futbollit të Kosovës.
“E telasheve me mungesa gjatë seancës së sotme stërvitore iu shtua edhe lëndimi i Edon Zhegrovës. Si rrjedhojë, ai u detyrua ta braktisë stërvitjen dhe të shkojë për ekzaminime të mëtutjeshme mjekësore, pas të cilave do të mësohet nëse do të mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme – thuhet në njoftimin e FFK-së.
Skuadra e Alain Giresse gjatë dy ndeshjeve të kaluara e ka një fitore dhe një humbje.
Me Qipron si mysafire ka arritur të fitojë me rezultat 0:2, ndërsa në Prishtinë humbi kundër Greqisë me rezultat 0:1.