Vitia jep informacione për helmimet në Deçan, thotë se së shpejti do të del raporti i ri

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas mbledhjes së qeverisë është deklaruar për media për helmimin e mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Deçanit.

Vitia me këtë rast ka thënë se analizat e bëra deri tani kanë treguar se cilësia e ujit ka qenë sipas standardeve të caktuara, derisa është shprehur se së shpejti do të del edhe raporti i ri.

Ai ka thënë se kanë marrë mostra edhe nga qytetarët, por që edhe ato kanë dalur negative sa i përket helmimit nga uji.

“Mostrat janë marrë menjëherë me 11 korrik nga rrjeti i ujësjellësit që furnizon 6 fshatra dhe nga secili fshat është siguruar nga një mostra për analizë. Në mbrëmje kanë rezultuar me parametrat sipas udhëzimit administrativ. Më datën 13 korrik janë marrë mostrat e ujit të KRU Hidrodrinit dhe të gjitha mostrat dhe analizat kanë rezultuar pa tejkalime të vlerave të caktuara sipas standardeve të udhëzimit administrativ 16/2012. Përveç analizave, janë marrë disa mostra nga disa pacientë edhe ato kanë rezultuar negative. Për këtë arsye janë përgatitur edhe një numër tjetër i mostrave që do të dërgohen jashtë shtetit”, ka thënë ai.

Vitia është shprehur se do të vazhdojnë t’i dalin në ndihmë qytetarëve të kësaj komune.

“IKSHPK po vazhdon grumbullimin e ankesave nga qytetarët dhe raporton në vazhdimësi për rrjedhën e hulumtimit për çdo ditë. Besoj që para orës 18:00 do të vie edhe raporti i ri nga IKSHPK. Ndihma do të jetë e vazhdueshme dhe në koordinim me kryetarin Ramosaj dhe drejtorin e QKMF’së Berisha. Sipas raportimeve të fundit që i kemi, nga dita e diel deri sot në orën 11:00 kanë kërkuar ndihmë 1 mijë 56 qytetarë”, ka shtuar ai.