Nuk ka fluks të automjeteve në pikat kufitare të Kosovës

Me fillimin e pushimeve verore, mërgimtarët kanë filluar të vijnë për pushime në Kosovë.

Në këtë periudhë zakonisht fillojnë të ngarkohen edhe pikat kufitare, por të dhënat e publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk flasin për ndonjë ngarkesë të madhe të kufijve deri më tani.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar në të gjitha pikat kufitare të Kosovës nuk ka kolona të automjeteve.

Në të gjitha pikat kufitare qytetarët për t’u futur në Kosovë duhet të presin nga 3 deri në 5 minuta, derisa nuk ka kolona të automjeteve.

Gjatë ditës pika kufitare e Merdares ka pasur ngarkesë kohë pas kohe, mirëpo pritjet nuk kanë qenë të gjata, derisa kolonat nuk kanë kaluar 100 metërshin.

Të dhënat janë përditësuar në orën 21:45.