Veton Zogaj

Kurdisja e konkursit: Prokuroria fillon trajtimin e rastit ku asamblisti i VV-së, dhëndërr i Adnan Rrustemit, u punësua në Ibër-Lepenc

Prokuroria Themelore në Prishtinë edhe zyrtarisht ka filluar ta trajtojë rastin e kurdisjes së konkursit në Ibër-Lepenc, ku u punësua asamblisti i VV-së në Malishevë njëherësh dhëndrri i deputetit Adnan Rrustemi, Veton Zogaj.

Kjo i është konfirmuar Nacionales nga zyra për informim e Prokurorisë në Prishtinë. Në përgjigje thuhet se rasti po shqyrtohet konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

“Ju njoftojmë se prokuroria është duke e shqyrtuar dhe analizuar konform dispozitave të KPPK-së çështjen të cilën e keni adresuar përmes këtij emaili, andaj për veprimet e mëtejme do t’iu mbajmë të informuar”, thuhet në përgjigje.

E nëse hetimet intensifikohen, atëherë Prokuroria mund të ketë punë.

Kurdisja e konkursit për pozitën Shef i Shërbimit për Burime Njerëzore nisi para një muaji në Kuvendin e Kosovës. U përfshi deputeti i VV-së, Gani Krasniqi.

Nacionale javën e kaluar ka publikuar fotografitë të cilat janë siguruar gjatë bisedave në Kuvendin e Kosovës. Aty kandidati Zogaj i shkruante deputetit të VV-së për ta ndihmuar në punësim.

Konkursi që nga fillimi sipas burimeve të Nacionales ka qenë i realizuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Qysh në start, Nacionale ka mësuar se konkursi është shpallur me një Udhëzim Administrativ i cili tashmë është shfuqizuar.

Siç ka mësuar Nacionale testi me shkrim ka pasur me shumicë pyetje të hapura, apo ese. Kjo në kundërshtim me udhëzimin Administrativ pr Rregulloren e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik.

Me ndryshimet e reja, kërkohet që pyetjet kryesisht të jenë të mbyllura, apo me opsione. Vetëm në raste specifike, lejohen disa pyetje të hapura apo ese. Kjo në mënyrë që anëtarët e komisionit të mos kenë mundësi t’i vlerësojnë në mënyrë subjektive kandidatët. E pikërisht kjo ka ndodhur në këtë konkurs në Ibër—lepencin e Faruk Mujkës.

Siç ka mësuar Nacionale, pas testit me shkrim disa prej kandidatëve janë ankuar në Ibër-Lepenc. E disa prej tyre, ka dalur se pikët e testit nuk u janë numëruar në mënyrë të saktë. Pra, pikët u janë llogaritur gabimisht.

Përderisa në testin me shkrim asamblisti Zogaj kishte pikë të përafërta me kandidtatë e tjerë, në test me gojë ai doli çuditërisht bindshëm më i miri me gati 90 pikë.

Për të gjitha këto çështje Nacionale ka dërguar pyetje në adresën e Ibër-Lepencit, megjithatë deri më tash nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Çfarë thuhej në mesazhe?

Zogaj i shkroi deputetit Krasniqit në mënyrë që i njëjti ta ndihmojë për punësim në këtë ndërmarrje. Kërkesa e tij ishte që Gani Krasniqi që gjithashtu vjen nga Malisheva, të intervenonte te Faruk Mujka.

“Mirëmbrëma baci Gani, shpresoj që nuk po të marr shumë kohë. Deshta të njoftoj që nesër kam plan të aplikoj në kompaninë Ibër-Lepenci në pozitën: Shef i shërbimit të burimeve njerëzore (numri i kryerësve – 1). Të gjitha kriteret për këtë pozitë i plotësoj, kryeshef i kësaj ndërmarrje është Faruk Mujka, nëse e sheh të arsyeshme të bisedosh me të që ta njoftoj lidhur me aplikimin tim. Shpresoj që nuk po të shqetësoj dhe mundoj me këtë”, thuhet në mesazhin që Veton Zogaj ia kishte dërguar deputetit Gani Krasniqi, të cilin e ka siguruar Nacionale.

Pasi lexoi mesazhin, deputeti në fjalë i premton se do t’i ndihmojë asamblistit për t’u punësuar në Ibër-Lepenc.

“Veton, e kam parë që më keni shkruar mbrëmë, por pasi s’ishte për nguti nuk t’u përgjigja. Po, gjejë rast për të biseduar me zotëriun në fjalë, vetëm duhet shikuar mos po bisedon ky shoku tjetër, me nënkuptim se sulmohemi për nepozitëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gani Krasniqit.

Biseda vazhdon për ta sinkronizuar planin që të ‘rehatohet’ asamblisti i Vetëvendosjes në Ibër-Lepenc.

“Nëse mund ta takosh atë do të ishte mirë e për deputetin që mund të flas e kam bisedu me Albanin që të flas meqenëse e ka shok”, ia ktheu Veton Zogaj përgjigjen deputetit.

“Dosido do e takoj atë, por edhe Albani është si shoku i tij për këto çështje. Jo rastësisht janë shokë”, përfundoi përgjigja e fundit e deputetit Gani Krasniqi.

Nga burimet e veta Nacionale ka siguruar të gjitha vlerësimet që janë bërë në këtë konkurs. Në testin me shkrim, Zogaj ishte i dyti me 72 pikë. Megjithatë, rezultati u përmbys në intervistat me gojë. Aty, asamblisti i VV-së mori mbi 88 pikë. Bindshëm më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë.

Automatikisht, ndërmarrja shpalli vendimin se Veton Zogaj është kandidati më i poentuar. Megjithatë, ky vendim ende nuk është bërë publik në faqen zyrtare.

Nacionale këto mesazhe i ka të siguruara që nga 4 prilli, megjithatë për shkak që të pritet deri në vendimin përfundimtar të ndërmarrjes, ato nuk janë bërë publike.

Nacionale ka kontaktuar me të gjithë personat e përfshirë në këtë hulumtim.

Asamblisti i VV-së, Veton Zogaj, tashmë i përzgjedhur për t’u punësuar në Ibër-Lepenc, ka mohuar t’i ketë shkruar deputetit Krasniqi për këtë punësim. Pavarësisht se atij iu bë me dije se gazeta posedon fotografitë, ai bëri akuza për shpifje.

“Nuk është e vërtetë kjo. Asnjë burim nuk është i vërtetë. Për ato për konkursin në ndërmarrje që po flet mundesh me shku me këqyr krejt procedurat qysh ka shku, me marrë informacione të sakta. Jo, nuk i kam shkruar. Nëse ki foto, publikoj, çfarë komunikimi kam unë me të? Ai është deputet, unë jam prej Malishevës, është koordinator i qendrës, unë jam sekretar. Unë jam asamblist, kam komunikim të rregullt”, tha në fillim Zogaj.

“Nuk është e vërtetë zotëri, janë shpifje të juaja, shko lype konkursin në ndërmarrje publike në fjalë, pyete komisionin. Le të dalin fotografitë, s’ka çka me dalë përveç konkursit në mënyrë të rregullt. Jam në mbledhje edhe a ka mundësi mos mem shqetësu me kësi far temash që i shpikni ju, edhe absolutisht nuk është kurrgjë e vërtetë, është shpifje që bëni ju si medium jo veç këtë rast po edhe 100 raste tjera. Unë kam punuar në media, po nuk bëj qysh bëni ju. Nëse ki foto publiko fakte”, deklaroi më tutje asamblisti i VV-së, Zogaj.

“Për korrektësinë shko në ndërmarrje në fjalë përcilli krejt procedurat merre komisionin vlerësimin, nëse del një shkronjë që ka shkelje unë dha përgjegjësi”, përfundoi përgjigjen e tij Zogaj.

Për këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar me deputetin e Vetëvendosjes, Gani Krasniqi. Ky i fundit ka thënë se i mbështetë personat profesionist. Ai e ka pranuar se nëse dy ekspertë janë të barabartë, atëherë ai i përkrahë njerëzit që iu beson.

“Krejt jetën time në veprimtarinë publike, politike, kombëtare, institucionale, prej kryetarit të komunës edhe përpara. Unë kurrë, edhe iu them kurrë nuk kam shikuar e nuk shikoj as sot, në rend të parë vjen profesionalizmi. Në mesin e profesionalistëve të barabartë, duhet një, dy, natyrisht që me profesionalist dhe me njerëz të besueshëm me projektin tim përpara, projektin qeveritar, projektin tim në çdo agjencion që ka të bëjë me ekspertët. Në mesin e ekspertëve të barabartë, me marrë ekspertin që edhe i besoj”, tha Krasniqi për Nacionalen.

“Çka ka politike aty? Dëgjo, po. Pozicionin e merr si profesionalist, vetëm si profesionalist. Nuk kom fol, dëgjo. I kom thanë ti konkurron se është njeri profesionalist, futu në test, ti kur futesh në test, testohesh, nëse ti ke pikë, ne do të thirremi në të drejtën atëherë interesom, dhe jam për me çu të drejtën përpara. Pahiri nuk është, por është me hiri”, deklaroi deputeti më tutje.