Gjini kritikon Kurtin: Në Bruksel nuk ka nevojë të jetë i paanshëm, kryeministrat tjerë ruajnë vendet e tyre

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka kritikuar ashpër deklaratat e Kurtit në Bruksel.

“Kurti nuk ka nevojë të jetë i paanshëm kur shkon në Bruksel. Kryeministrat dhe ministrat e jashtëm e mbrojnë vendin e vet. Nuk ka nevojë që ne ta kuptojmë nga këtu se një kryeministër i joni sa është demokrat dhe i drejtë. Drejtësi dhe demokracia duhet të ushtrohet këto e jo në Bruksel. Kryeministri i Kosovës nuk ka nevojë t’iu tregoj në Bruksel për gjendjen këtu sepse ata e kanë skanuar mirë gjendjen”, deklaroi Gjini në “Debat Plus”.

Kryetari i Gjakovës thotë se zyrtarët shtetërorë duhet të përmbahen nga deklaratat negative nëpër forumet ndërkombëtare.

“Kryeministrat tjerë e ruajnë vendin e vet dhe nuk i fyejnë ushtarët e lirisë. Ne jemi pajtuar me gjyqin por jo të shkojnë zyrtarë të lartë të shtetit të tregojnë se sa të mirë janë ata e sa të këqij janë paraardhësit e tij”, tha ai.

Gjini thotë se shteti duhet t’i mbrojë qytetarët e vet derisa ata nuk janë shpallur fajtorë.

“Nëse ndonjë nga zyrtarët e shtetit mundohet të bëjë ndarjen e qytetarëve se kush është qytetarë i mirë e kush i keq do të shkojmë do të shkojmë në një drejtim ku do të bëjmë gjyq për njëri tjetrin…Vetëm te “banana republikat” ai që merr pushtetin dhe dëshiron të kriminalizojë gjithë të tjerët”.

Gjini thotë se nëse politika bënë gjyqin Kosova përfundon në një situatë të rëndë.

“Janë bërë deklarata në Kuvend që janë të rënda, por nuk mund të krahasohen me deklaratat e Kurtit në Bruksel apo deklaratat nga Këshilli Sigurimit”, deklaroi ndër të tjera Ardian Gjini.