BE heq dorë nga AstraZeneca, Unioni nuk rinovon kontratën me kompaninë anglezo-suedeze

Ritmi i ngadaltë i dërgesave solli frustrimin e europianëve të cilët mbajnë kompaninë përgjegjëse për vonesat.

Komisioni Europian nuk do ta rinovojë kontratën me kompaninë AstraZeneca për të marrë doza të tjera kundër COVID nga kompania anglo-suedeze, shkruan “EuroNews”.

Lajmi u bë i ditur nga Komisioneri i Tregut të Brendshëm të Bashkimit Europian, një ditë pasi BE-ja ritheksoi mbështetjen për vaksinën e Pfizer – BioNtech, duke nënshkruar një marrëveshje të re për 1.8 miliardë doza që do të shpërndahen deri në vitin 2023, transmeton lajmi.net.

Dy javë më parë, Bashkimi Europian nisi procedurat ligjore ndaj AstraZeneca-s për mos përmbushje të kushteve në kontratën e firmosur me 27 vendet anëtare të Unionit.

Vaksina e Astra Zeneca-s fillimisht ishte në qendër të fushatës së imunizimit në Europë dhe pjesë e strategjisë botërore për të shpërndarë vaksina në vendet e varfra, pasi është më e lirë dhe më e lehtë në përdorim se vaksina Pfizer.

Ritmi i ngadaltë i dërgesave solli frustrimin e europianëve të cilët mbajnë kompaninë përgjegjëse për vonesat.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Britania e Madhe e konsideron faktor kyç vaksinën në fjalë në suksesin e fushatës së tyre të vaksinimit