Vjosa Osmani uron Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet në Shqipëri, nuk e përmend Edi Ramën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, duke mos e përmendur liderin e kësaj partie, Edi Rama.

Osmani po ashtu ka përgëzuar edhe Partinë Demokratike dhe partitë e tjera për gazën zgjedhore që u mbajtë gjatë ditës së diel në Shqipëri.

“Urime Partisë Socialiste për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit. Përgëzoj Partinë Demokratike dhe gjithë partitë e tjera per garën zgjedhore”, thuhet në cicërimën e Osmanit në Twitter.

Ajo ka uruar që të gjithë përfaqësuesit politik të kontribuojnë për bashkupinimin me Kosovën.

“Uroj që të gjithë përfaqësuesit politik të kontribuojnë në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit me Kosovën”.

Kujtojmë se edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ia ka uruar fitoren kryeministrit, Edi Rama. Në urimin e tij, ai ka thënë se Kosova nuk bën pa Shqipërinë dhe po ashtu Shqipëria nuk bën pa Kosovën.

“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies”, ka thënë Kurti.

Nga Vetëvendosje në Shqipëri kandiduan si deputetë të pavarur, Boiken Abazi, Kreshnik Merxhani dhe Iliaz Shehu. Asnjë nga këta nuk arriti të bëhet deputet.