“Vjosa Osmani ka të drejtë të formojë parti politike derisa është UD. e presidentit”

Njohësi i çështjeve ligjore, Albert Krasnqi ka thënë se është i gabueshëm interpretimi se Vjosa Osmani nuk mund të formojë parti të re politike sa është ushtruese e detyrës së presidentes.

Krasniqi ka përmendur një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 për të argumentuar se Vjosa Osmani ka të drejtë të formojë subjekt politik.

“Interpretimi se Ushtruesja e Detyrës së Presidenti nuk ka të drejtë të formojë parti politike është i gabuar”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, aktgjykimi ka thënë se nuk është në papajtueshmëri me Kushtetutën nëse Osmani në këtë rast ushtron edhe funksione partiake.

Postimi i plotë:

Interpretimi se Ushtruesja e Detyrës së Presidenti nuk ka të drejtë të formojë parti politike është i gabuar. Në vitin 2010, Jakup Krasniqi si U.D. i Presidentit i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pyetjen se “a i ndalohet mbajtja dhe ushtrimi i postit të Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së”.
Gjykata kishte vendosur që nuk ka ndalim për ushtruesin e detyrës së Presidentit për ushtrimin e funksioneve në parti politike, dhe se mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të Presidenti dhe njëkohësisht ushtrimi edhe i postit të Sekretarit të PDK-së nuk është në papajtueshmëri me Kushtetutën (Aktgjykimi Nr. KO 97/10).