“DASH publikon raportin për trafikim me qenie njerëzore – Kosova ka shënuar progres”

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka bërë të ditur se Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin për trafikim me qenie njerëzore për vitin 2019.

Sipas raportit të DASH-it, Republika e Kosovës vazhdon të listohet në nivelin dy nga tri nivelet themelore, derisa raporti ka parasysh përpjekjet domethënëse të Qeverisë së Kosovës.

“Rrjedhimisht, sipas raportit, Republika e Kosovës ka shënuar progres të dukshëm krahasuar me raportin e vitit të kaluar dhe raportet e viteve paraprake”.

“Në raport theksohet puna e shkëlqyeshme e Policisë së Kosovës, më saktë, e njësisë kundër trafikimit, e cila vazhdon të arrijë dhe regjistrojë rezultate të shkëlqyeshme nga viti në vit, derisa rekomandohen përmirësime në fushën e gjykimeve përfundimtare dhe financimin e shtëpive të sigurta për viktimat e trafikimit”.

“Me këtë rast dua të falënderoi të gjithë anëtarët e Autoritetit Kombëtar për luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore për punën e tyre të palodhshme, duke u zotuar njëkohësisht se në koordinim me institucionet e tjera shtetërore, do të angazhohemi në përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raporti i DASH-it, veçanërisht për një rregullativë ligjore më efikase për mbrojtjen e viktimave të trafikimit”.