Zëdhënësi i Qeverisë Kurti e arsyeton mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie, ja çfarë thotë

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu është deklaruar në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryeziu thotë se nuk qëndron arsyetimi se për shkak të pandemisë nuk mund të mbahen zgjedhjet në vendin tonë.

Se mbajtja e zgjedhjeve iu duket e arsyeshme, Kryeziu e thotë përmes një postimi në Facebook, ku thekson se kanë kaluar dy muaj nga paraqitja e rastit të parë me Covid dhe dy muaj nga mocioni i mosbesimit nga 1 mijë e 32 raste gjithsejt sa ka pasur Kosova deri më tani, 75 për qind e të infektuarve janë shëruar.

“Kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga rasti i parë i konfirmuar me COVID-19, dhe saktësisht dy muaj që nga mocioni i mosbesimit. Që atëhere kemi 1,032 raste të regjistruara me virus prej të cilëve 75% tashmë janë të shëruara. Dje është shënuar dita e parë që nga 13 marsi që nuk kemi asnjë të infektuar. Vetëdija dhe përvoja e organizimit të veprimtarive të ndryshme në kohë pandemie po rritet, derisa masat po lirohen gradualisht”, ka shkruar Kryeziu.

Ai shtoi se organizimi i zgjedhjeve është i mundshëm dhe se vullneti i qytetarëve është për zgjedhje.

“Organizimi i zgjedhjeve është dëshmuar të jetë praktikisht i mundshëm edhe në këto rrethana për aq kohë sa merren masat sanitare të duhura, siç është përshkruar nga një video dje. Vullneti i qytetarëve për zgjedhje haptazi ekziston dhe neni 82.2 i Kushtetutës i parasheh ato. Andaj deputetët le të mblidhen në kuvend për ta shpërndarë atë vetëm për tu mbledhur prapë pas zgjedhjeve 2020. Vullneti i qytetarëve nuk mund të mbahet peng i interesave të disa deputetëve, vullneti i të cilëve është peng i kryetarëve të partive të tyre në radhë të parë”, ka shkruar tutje ai.

Lidhur me mbajtjen e procesit zgjedhor Lëvizja Vetëvendosje si partia e cila po qeverisë, në një postim në Facebook, ka shkruajtur se votimi në një kohë pandemie nuk ndryshon edhe aq prej atij nëse nuk ka pandemic dhe se përveç kujdesit të shtuar, gjithçka tjetër është e ngjashme.

“Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të frymëzuar nga forma e organizimit të zgjedhjeve në Koren e Jugut, të mbajtura me 15 prillit 2020, kanë inskenuar një proces të ngjashëm zgjedhor”, shkruan Vetëvendosje dje në Facebook.