Gjykimi në Hagë

Dëshimtari Nuredin Abazi: Nuk mund të indentifikohet UÇK-ja me individë…

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduan dëshminë dëshmitari Nuredin Abazi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Abazi, i pyetur se a është i pajtimit që mund të jenë kryer krime nga anëtarë të UÇK-së gjatë luftës, dëshmitari tha se nuk përjashtohet kjo mundësi.

“Nuk e di për ato raste, por nuk përjashtohet mundësia. Nuk mund të indentifikohet UÇK-ja me individë. Në çdo luftë ka individë…. mund të ketë individë që mund të këtë pasur ndonjë problem, por nuk ka pas raste të tilla në masë”, tha ai.

Në fund të dëshmisë së tij, pyetje shtesë për dëshmitarin pati avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra. Ajo u fokusua në një raport të Serbisë në të cilin thuhej se arma me të cilën ishte vrarë Latife Kololli i përkiste Naim Berishës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, dëshmitari tha që nuk i beson këtij raporti pasi që policia serbe dhe Serbia në veçanti kanë kryer krime dhe kanë fajësuar UÇK-në.

Dëshmitari u mor në pyetje edhe nga trupi gjykues, duke filluar me gjyqtarin Fergal Gaynor, i cili i tha dëshmitarit se në deklaratat e tij ai kishte thënë se janë munduar që t’i respektojnë rregullat që dilnin nga e drejta ndërkombëtare.

I pyetur se çfarë baze ligjore kishin për t’i trajtuar akuzat për bashkëpunëtorë, dëshmitari tha se kanë vepruar në bazë të konventave dhe rregullave ndërkombëtare dhe se nuk kanë pasur ndonjë ligj të shkruar.

“Nuk kemi pas ligje të shkruara. Kemi vepru në bazë të konventave, në bazë të asaj që kemi mundur me i përdorë që me e trajtu një çështje minimalisht në atë që kemi mundur me i siguru për me mbajtë një qetësi”, tha ai.

Dëshmitari tha se nuk kanë përgatitur akuza por vetëm kënë bisedu me njerëzit kur kanë mendu që janë të dyshimtë. Përgjigja e dëshmitarit erdhi pasi ai u pyet nga gjyqtari se si përgatisnin akuzat formale lidhur me pretendimet e ngritura.

“S’kemi përgatitë ne akuza vetëm kemi ba bashkëbisedim për njerëz që kemi mendu që janë të dyshimtë. Nuk kemi ba gjykime e as akuza. Vetëm e kemi trajtu atë rast se çka mendon ai person, kemi konstatu se nuk ka kurrgjë dhe e kemi urdhëru lirimin e tyre”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se nuk e dinte se kishte kornizë ligjore që të ndaluarit të kundërshtonin ndalimin nga UÇK-ja.

Nuredin Abazi tha se gjatë kohës së luftës nuk ka pasur as gjykatë që pastaj të kishte subjekte përcjellëse siç ishte avokati për persona të dyshuar.

“S’ka pas, se s’ka pas gjykatë. Kur s’ka gjykatë nuk ka subjekte të tjera që e përcjellin atë”, tha ai.

Pastaj pyetje për dëshmitarin pati edhe gjyqtari Christopher Barthe, i cili u fokusua tek institucioni i Shtabit të Përgjithshëm që pretendohet se ka ekzistuar si qendër komanduese e UÇK-së.

“Nuk e di që ka pas. Por, edhe në qoftë se ka pas, ato janë kanë vetëm formale vetëm në letër, pa mundësi të komunikimit të ndërsjelltë dhe pa mundësi të zbatimit në terren”, tha dëshmitari.

Tutje, dëshmitari tha se funksioni i Thaçit në luftë ka qenë i ngarkuar me detyrën politike dhe nuk e di nëse ka pasur ndonjë rol tjetër. Ndërsa, për Veselin tha se nuk e ka njohur gjatë luftës.

“Ka qenë në detyrë politike të UÇK-së. Nuk e di që ka pas rol tjetër…Për Veselin as që kam njohur gjatë luftës dhe nuk di asgjë për atë”, tha ai.

Kurse për Selimin, dëshmitari tha se nuk ka dëgjuar asnjëherë se çfarë pozite ka pasur. Ndërsa, Jakup Kransiqi sipas tij në bazë të asaj që është dëgjuar është përshkruar si zëdhënës i UÇK-së.

Megjithatë, lidhur me redaktimet dhe kontradiktat që kanë dalë në mes dëshmive të dëshmitarit, trupi gjykues tha se ZPS-ja i ka dhënë njoftime të duhura mbrojtjes lidhur me ndryshimet që ka bërë dëshmitari në dëshmitë e tij.

Trupi gjykues ka vënë re se përfaqësuesi i ZPS-së i ka evidentuar qartazi kontradiktat në mes deklaratave të dëshmitarit gjatë dëshmive që ai ka dhënë me gojë.

Sipas tyre, çdo kontradiktë që shihet në dëshmitë e dëshmitarit nga shënimi përgatitor dhe nga ato paraprake do të vlerësohen nga trupi gjykues kur të vlerësohet besueshmëria e këtij dëshmitari dhe mbështetshmëria e provave që jep dëshmitari  lidhur me këtë aspekt.

Dëshmitari Abazi: Sadik Halitjaha nuk i ka njohur Rrushe e Latife Kolollin

(Përditësuar, ora 14:50)- Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Guénawl Mettraux, dëshmitari Nuredin Abazi tha se nuk iu kujtohet se kishte folur me Sadik Halitjahën lidhur me lirimin apo transferimin e Rrushe dhe Latife Kolollit më Brigadë. Mirëpo, gjyqtari i tha atij se një gjë të tillë e kishte thënë më herët në deklaratat për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Ndërsa, dëshmitari tha se Sadik Halitjaha dhe vetë ai nuk i kishte njohur këto dy gra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sadik Halitjaha nuk i ka njoftë. Këto i ka njoftë popullata ku kemi nejtë na në zonën e Budakovës. Na s’kemi pas ide kush janë këto. Posaçërisht, Sadiku ka ardhë prej Zvicre nuk ka pas qysh me i njoftë”, tha dëshmitari.

Sipas gjyqtarit, Agim Zyba, Musë Kololli dhe Naim Kololli kanë deklaruar se Rrushe dhe Latife Kololli janë arrestuar dhe janë mbajtur të ndaluara. Gjyqtari tha se ata kishin thënë se për këtë gjë ishte në dijeni edhe Sadik Halitjaha, i cili kishte aprovuar që këto gra të dërgoheshin në brigadë. Gjqytari tha se deklaratat e këtyre tre personave përputhen me njëra-tjetrën.

Ndërsa, gjatë pyetjeve të avokatit Luka Mishetiq, dëshmitari tha se është takuar vetëm një herë me Fetah Rudin kur kishte dyshime që ai kishte keqpërdorur ndihmat humanitare.

“Gjatë luftës jam taku njëherë. Ajo ka qenë në ’98-ën si duket. Në ’98-ën po. Ka pas një aferë se gjoja Fetah Rudi është duke i keqpërdorë ndihmat ushqimore të cilat janë sjellë nga Fondacioni “Nëna Terezë” për mbajtjen e popullatës. Aty ka pas ushqime të ndryshme miell, vaj, sheqer e të tjera dhe ky si udhëheqës i fshatit i ka pas në menaxhim ato dhe e ka pas për detyrë me ia nda popullatës në mënyrë proporconale. Për shkak të dyshimit se ato nuk janë nda mirë nga Fetah Rudi, kanë lindë tani dyshimet. Për këtë, kam bashkëbiseduar me atë dhe e kemi zgjidhë këtë problem”, tha ai duke shtuar që e kishte urdhëruar Sadik Halitjaha që të shkonte ta takonte Fetah Rudin.

Dëshmitari tha se ka pasur dyshime që Fetah Rudi ishte përfshirë në spiunazh, por doli që nuk ishte e vërtetë.

“Ka pas thashetheme, por nuk kanë qenë të vërteta ato fare. S’kanë qenë të vërteta. Popullata që ka qenë ai e ku ka vepru, popullata e kanë konsideru. Gjatë bashkëbisedimit e kam konstatu se ai ishte njeri i ngritur, njeri i përcaktuar për Rugovën. Për aty, nuk ka pas ndonjë dilemë tjetër. Me Rugovën nuk kemi qenë armiq, ai e ka pas teorinë e vet të qëndresës me paqe, arritjes së synimit me paqe. Ne kemi pasur tjetër qëndrim. Kemi mendu që liria nuk fitohet pa luftë dhe e kemi përkrah luftën”, tha dëshmitari duke shtuar se sa i kujtohet, në takim ka qenë edhe Ilaz Kadolli.

Mishetiq i tha dëshmitarit se ka prova se në bisedë me Fetah Rudin i ka thënë atij se ishte i dënuar.

“Kurrë s’i kam thënë. Kurrë”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e Mishetiq.

Pas kësaj, për dëshmitarin pati pyetje edhe mbrojtja e Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson i cili u fokusua tek roli që ka pasur dëshmitari në hartimin e dokumenteve të ndryshme bashkë me Sadik Halitjahën.

Dëshmitari tha se në batalionin e tij ka qenë vetëm një rregullore e vetme për mirësjellje.

“Një rregullore e vetme për mirësjellje qajo ka qenë, s’ka pas tjetër. Nuk kemi pas kohë për tjera me hartu, me përpunu. Kemi qenë në gjendje lufte. Ato kanë qenë të domosdoshme”, tha ai.

Nuredin Abazi shtoi se ka pasur edhe dokumente të UÇK-së që kanë pasur përmbajtje propagandistike pasi që sipas tij në çdo luftë ka propagandë.

Pyetje shtesë për dëshmitarin pati edhe prokurori James Pace, i cili u fokusua tek deklarata që dëshmitari kishte dhënë për ZPS-në në 2020-ën. Sipas tij, dëshmitari kishte thënë se Agim Zyba dhe Naim Kadolli i kishin thënë se dy gratë që u përmenden më herët i kishin dërguar në brigadë. Në përgjigjen për prokurorin, dëshmitari tha se nuk iu kujtohet që e ka thënë një gjë të tillë.

Mbrojtja e Rexhep Selimit nuk pati pyetje për dëshmitarin, ndërsa ajo e Jakup Krasniqit u fokusua kryesisht në rolin që kishte pasur dëshmitari në zonën e Budakovës dhe atë të Pashtrikut.

Dëshmitari: Rrushe e Latife Kolollin i vranë forcat serbe

(Përditësuar, ora 11:46)- Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Nuredin Abazi tha se Latife dhe Rrushe Kolollin i vranë forcat serbe, pasi që trupat e tyre janë gjetur në një zonë ku vazhdimisht ka pasur patrullime nga ata.

Dëshmitari tha se vendi ku janë gjetur këto dy gra, ka qenë vend i rrezikshëm për të pasur qasje UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo. Unë kam kuptu tek mas luftës se ato janë gjetur me një udhëkryq, në udhëkryq të cilin vazhdimisht patrullonin policia dhe ushtria e Serbisë, me autoblinda…I kanë vra forcat serbe se ka qenë e pamundur që me hy na si ushtri. Ka qenë vend tejet i rrezikshëm. Kur janë gjet trupat e tyre, se mbas luftës kam dëgju, ka qenë tejet e rrezikshme me u afru aty na se ai vend ka qenë gjithmonë me autoblinda e tanke të Serbisë”, tha dëshmitari.

Abazi tha se ka dëgjuar se trupat e këtyre grave janë gjetur në rrugën kryesore Suharekë-Prizren.

“Sa e di unë ato janë gjet afër Leshanit, rrugës kryesore që shkon për Suharekë-Prizren. Rruga që shkon për fshatin Leshan aty është udhëkryqi, njëfarë ishulli. Aty kam dëgju që janë gjet, se as nuk i kam parë”, tha dëshmitari.

Duke folur për kohën kur kishte biseduar me këto gra, Abazi tha se nuk kishte autoritetin që t’i ndalonte.