Policia e Kosovës

FAST-i i Policisë së Kosovës arrestoi një person të kërkuar me urdhërarrest nga INTERPOL-i

Policia e Kosovës, konkretisht njësiti ILECU-FAST KOSOVA ka njoftuar se në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar me shtetet partnere,  ka arritur të arrestoj një person me urdhërarrest ndërkombëtarë.

Përmes një komunikate për media Policia e Kosovës ka njoftuar se personi i arrestuar është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe i njëjti akuzohet për veprën penale “Trafikim me Narkotik”, raporton Ballkani.info.

“Me datë 29.04.2024 në qytetin e Ferizajt, ky njësit në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Narkotik dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë-Ferizaj pas një pune intensive në terren, ka arritur të  lokalizoj dhe arrestoj një shtetas nga Maqedonia e Veriut  me inicialet A.H., (viti i lindjes 1983) i  shpallur në kërkim ndërkombëtar të INTERPOL-it për veprën penale “Trafikim me Narkotik”.

Ndërsa, me  urdhër të Prokurorit kompetent, ndaj të njëjtit do të aplikohen procedurat e parapara për këto  raste, deri në ekstradimin e tij.

“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, përfshirë edhe fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor”, thuhet në njoftim./Ballkani.info/