Si u dyfishuan rastet me koronavirus dhe vdekjet përbrenda një jave

Pandemia e koronavirusit është dyfishuar në madhësi në rreth një javë, me më shumë se një milion raste të regjistruara në të gjithë botën, tregojnë shifrat.

Të dhënat e mbledhura nga Organizata Botërore e Shëndetit tregojnë se më 25 mars kishte 414,000 raste me COVID-19, raporton Daily Mail.

Në të njëjtën datë, rreth 18.400 njerëz kishin vdekur, shifër kjo e cila është rritur mbi 50 mijë – pothuajse duke u trefishuar brenda tetë ditësh.

Shifrat tronditëse globale përkuan me ditën më të errët, si për Spanjën e Italinë, ashtu edhe për SHBA-të.

Me më shumë se 216,000 infeksione në të gjithë vendin, SHBA është vendi më i prekur nga virusi pandemik në mbarë botën.

Numrin më të madh të të vdekurve e ka Italia deri më tani, me gati 14 mijë vdekje që nga shfaqja e rastit të parë.

Për një situatë të tillë kishte paralajmëruar Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke thënë se brenda disa ditësh do të arrijmë shifrat në mbi një milion.

“Në ditët e ardhshme do të arrijmë në një milion raste të konfirmuara dhe 50,000 vdekje”, kishte thënë Ghebreyesus gjatë konferencës së përditshme në Gjenevë.