Flet babai i 1 vjeçarit që u dhunua në çerdhen “Cambridge Kids” në Prishtinë

Dy edukatore janë arrestuar për rastin e keqtrajtimit të një fëmije në çerdhen “Cambridge Kids”, ka konfirmuar të mërkurën Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, sot për rastin në fjalë ka folur edhe babi i fëmijës së keqtrajtuar në çerdhen e “Cambridge Kids” në Prishtinë, Berat Gori.

Gori për T7 tha se është i shokuar nga kjo ngjarje edhe tregon se rastin e ka dërguar në polici dhe pret që organet kompetentet të merren më detajisht me rastin .

“Drejtoresha me ka prit mirë, kërkim falje nuk ka pas vend më, pasi edhe ai jo thotë se ka qenë e shokuar dhe ndjen keqardhje për këtë”, tha Berat Gori babai i fëmijës së keqtrajtuar nga edukatorja.

“Nuk kam informacion se nëse edukatoren e kanë larguar nga puna, kështu që rastin e kam dërguar ne hetuesi edhe polici, presim që ky rast të zbardhet sa ma shpejtë”, shtoi ai.

Sidoqoftë, çerdhja në fjalë u mbyll sot nga Inspektorati për shkak se nuk kishte licencë për punë.