Vjen padia më e madhe ndaj Volkswagenit

Është hapur rasti gjyqësor që përfshin qindra mijëra pronarë të automobilave Volkswagen, katër vjet pasi u zbulua skandali më i madh në histori të gjigantit gjerman.

Volkswageni kishte mashtruar me rezultatet e emetimit të gazrave, dhe sot në Gjermani rreth 450 mijë pronarë veturash kanë akuzuar VW-në duke kërkuar kompensim për mashtrimet.

Ky është rasti i parë kur një numër kaq i madh njerëzish janë bërë bashkë në një rast gjyqësor, që kur u ndryshua ligji në Gjermani vitin e shkuar. Grupi i të drejtave të konsumatorëve “VZBV” ka thënë se prodhuesi ka dëmtuar blerësit duke instaluar softuerë që lejonin që veturat të ndotnin ajrin më shumë se që lejohej, por në kohën e testimeve i fshihte rezultatet.

“Do të doja që Volkswageni të rimbursonte çmimin e blerjes”, ka thënë Andreas Sarcletti, një blerës i një veture VW, raporton “The Guardian”. “Por jam i brengosur se gjykimi do të zgjasë shumë”.

Ky është rasti më i madh gjyqësor në Gjermani që kur shpërtheu skandali, që javën e shkuar rezultoi me aktakuzë ndaj Herbert Diessit, shef ekzekutiv i Volkswagenit, për manipulim në treg.

Në akuzën e më shumë se 450 mijë qytetarëve, më e rëndësishmja ndër 50 pyetjet për gjyqtarët, ishte të konsiderohej nëse “Volkswageni ka bërë dëm me sjellje të pandershme”.

“Jemi të bindur se Volkswageni ka kryer mashtrim”, ka thënë avokati i VZBV-së.

Por mbrojtja e Volkswagenit ka thënë se “s’ka pasur dëme sepse akoma janë qindra mijëra vetura të tilla që qarkullojnë nëpër rrugë pa probleme”.

Edhe nëse gjykata vendos në favor të ankuesve, s’do të ketë kompensim të menjëhershëm, pasi çdo pronar i regjistruar në rast duhet të deklarohet individualisht.

VW s’pret që rasti gjyqësor të përfundojë para vitit 2023.

Që kur VW më 2015 pranoi manipulimin, skandali i ka kushtuar më shumë se 30 miliardë euro në gjoba, kompensime e ndëshkime tjera. Rreth 20 miliardë nga to kanë përfunduar në SHBA, teksa në Gjermani deri tash janë paguar 2.3 miliardë euro.

loading…