Mediave serbe nuk iu pëlqen paraqitja e shkurtër e Haradinajt në Hagë: U kry!

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfundoi paraqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila vepron në Hagë.

Pas qëndrimit për më shumë se një orë në objektet e Prokurorisë, Haradinaj tha se ka vendosur të mbrohet në heshtje.

“Sot jam paraqitur si i dyshuar. Kam kryer obligimin ligjor në bazë të një ftese të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Posaçme. Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem fare në pyetje”, tha Haradinaj, duke shtuar se nuk pret ndonjë aktakuzë kundër tij.

Ai përsërti të mërkurën se në Hagë ka dashur të intervistohet si qytetar i Kosovës dhe jo si udhëheqës shteti.

“Imagjinojeni sikur lajmet të shkruanin sot se kryetari i Qeverisë së Kosovës (po merret në pyetje)… Por, unë kam ardhur si Ramush Haradinaj. E kemi ruajtur shtetin tonë të ri dhe kemi krijuar një precedent që i obligon të gjitha palët tjera të na respektojnë, qofshin në rajon, qofshin në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Haradinaj, raporton Ballkani.info.

E kjo paraqitje kryesisht e shkurtër e Haradinajt në Gjykatën Speciale, nuk ua ka përlqyer mediave serbe.

“Alo”, një nga gazetat e kapura nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, raporton për intervistën e Haradinajt me titull skeptik dhe tendecioz “Kaos në Gjykatën e Hagës, vendimi për Haradinajn është marrë për paraqitje të shkurtër – gjithçka ka marrë fund”.

Tutje në këtë artikull raportohet për deklaratën e Haradinajt pas intervistimit, si dhe për paraqitjen e Jakup Krasniqit aty.

Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës javën e kaluar, për shkak të, siç tha, ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit. /Ballkani.info/

loading…