Haradinaj në takim lamtumirës me shefen e EULEX-it: Përmes drejtësisë keni ndihmuar gjithë shoqërinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim lamtumirës shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, duke vlerësuar rolin e EULEX-it përgjatë këtyre viteve në Kosovë, kryeministri Haradinaj theksoi se sukseset e EULEX-it dhe të Kosovës janë të përbashkëta dhe në funksion të ndërtimit të besimit të qytetarëve për institucionet e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në rrugën e saj për sundimin e ligjit”, citohet të ketë thënë kryeministri Haradinaj duke falënderuar shefen e EULEX-it, Papadopoulou, për punën dhe angazhimin e saj në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, përgjatë tre viteve në krye të këtij misioni.

“Duke e ndihmuar sistemin tonë të drejtësisë, ju keni ndihmuar gjithë shoqërinë dhe në këtë proces gjithmonë e keni pasur mbështetjen e Qeverisë”, tha Kryeministri Haradinaj, duke i uruar suksese në detyrën e re në diplomacinë greke.

Gjithnjë sipas njoftimit të Kryeministrisë, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, falënderoi kryeministrin për pritje dhe për bashkëpunimin e deritanishëm me EULEX.

loading…