Ministri Ismaili: Emergjencë moderne në Spitalin e Gjilanit për kujdes të avancuar për pacientët tanë

“Spitali i Gjilanit ka pasur nevojë për investime. Kërkesës së pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë të këtij qyteti ju kemi përgjigjur me projekte konkrete për ndryshimin e gjendjes”, tha ministri Uran Ismaili

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizitoi sot Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku kanë nisur një sërë investimesh për përmirësimin e infrastrukturës së reparteve të këtij institucioni.

Ministri Ismaili gjatë kësaj vizite ka treguar se tashmë ka nisur puna për rinovimin e tërsishëm të Emergjencës.

“Spitali i Gjilanit ka pasur nevojë për investime. Kërkesës së pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë të këtij qyteti ju kemi përgjigjur me projekte konkrete për ndryshimin e gjendjes. Rinovimi i tërësishëm i Repartit të Emergjencës me infrastrukturë të re, pajisje moderne dhe inventarë të përshtatshëm medicinal, do ta rris cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore. Pas Emergjencës do të nis menjëherë rinovimi i Ambulancave Specialistike në të mirë pacientëve të këtij spitali”, tha ai, transmeton Ballkani.info.

Ministri Ismaili ka thënë se duke investuar në institucionet publike shëndetësore synohet që të rrihet cilësia dhe siguria e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

Rinovimi i Repartit të Emergjencës në SP të Gjilanit përfshinë blerjen e aparaturave moderne, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, dyshemeës, nyjeve sanitare dhe punë të tjera. Po ashtu, do të blihet edhe inventari i ri medicinal për të gjithë repartin, me shtretër për pacientë, karroca, dollapë për barna, etj.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, tha se ky investim është shumë i mirëprirtur. “Ka kohë që në Spitalin e Gjilanit nuk ka pasur investime për përmirësimin e shërbimeve shëndeteësore. Falënderoj Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrin Ismaili për angazhimin që qytetarëve të Gjilanit t’u ofrojnë kushte më të mira për shërbimet mjekësore”, tha Hajrullahu.

Emergjenca e këtij Spitalit të Përgjithshëm nuk do të jetë investimi i vetëm që do të bëhet gjatë këtij viti. Brenda pak ditësh do të nis puna edhe për rinovimin e tërsishëm të Ambulancava Specialistike për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në të mirë të pacientëve të këtij spitali. /Ballkani.info