2020-ta viti problematik i Kosovës në rrafshin diplomatik, ish- diplomatja tregon “fajtorin”

Viti 2020 mund të thuhet pa frikë se ka qenë viti më problematik i Kosovës në rrafshin diplomatik, thotë ish-ambasadorja dhe ish- diplomatja Alma Lama.

Në një intervistë për Ballkani.info., Lama qeveri Kuri ka ndikuar që të ulen marrëdhëniet e Kosovës me partnerin ndërkombëtar kryesor, SHBA, gjersa shton se Kurti nuk është treguar diplomat me përplasjet publike që i kishte me Grenell-in.

“Viti 2020 mund të thuhet pa frikë se ka qenë viti më problematik për Kosovën në rrafshin diplomatik dhe mund të thuhet se ka shënuar pikën më të ulët të marrëdhënieve të Kosovës me partnerin kryesor ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara. Kjo lidhet me raportet e qeverisë Kurti me të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë Richard Grenell, i cili në një mënyrë aspak diplomatike kërkonte arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë pa marrë parasysh kompleksitetin e problemit, por nga ana tjetër edhe Kurti nuk u tregua fort diplomat, duke i bërë publike përplasjet me Grenell dhe administratën amerikane, dhe duke përdorur fjalor aspak diplomatik për Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se ajo sot udhëhiqet nga një president atipik”, shprehet Lama.

Ajo thotë se presidenti Trump është kritikuar për qasjen ndaj konflikteve ndërkombëtare dhe vendimeve të tij, por asnjë qeveri e Kosovës nuk është në pozitë të përplaset hapur apo mbyllur me SHBA-në.

“Presidenti Trump është kritikuar gjerësisht për qasjen e tij ndaj konflikteve ndërkombëtare dhe vendimet e marra në lidhje me disa nga problemet më të mprehta në botë, e po kështu edhe për raporte me BE-në. Sidoqoftë, asnjë qeveri e Kosovës nuk është në pozitën të përplaset hapur apo mbyllur me SHBA-në, por natyrisht duhet të mbrojë interesat e veta. Imponimi për të hequr tarifën dhe presioni për arritjen e një marrëveshje në interes të  fushatës së presidentit amerikan nuk kanë qenë fort të moralshme, por kriza e raporteve ta acaruara u tejkalua me ardhjen e qeverisë Hoti. Vetë marrëveshja e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ishte një vazhdimësi e procesit të Brukselit dhe Berlinit, dhe nuk pati ndonjë plan për ndarjen e Kosovës për të cilin fliste Kurti”, pohon Lama.

Gjatë vitit 2020 është bërë publike edhe aktakuza ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë këtu edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ngritja e aktakuzave dhe bërja publike e tyre, sipas Lamës, përbën pikën tjetër të ulët të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

“Pika tjerë e ulët e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, padyshim ishte ngritja e aktakuzës për ish-krerët e UÇK-së, bërja publike  kësaj aktakuze që ndikoi në anulimin e takimit në Ëashington, pasi ish-presidenti Hashim Thaci, u detyrua të zbresë nga avioni, rrugës për në Ëashington. Ky ishte një poshtërim për Hashim Thaçin dhe planet e tij për shkëmbime territoriale me Serbinë, por ishte edhe një goditje për vetë Kosovën, pasi bota mori vesh se presidenti i saj akuzohet për rreth 100 vrasje, krime lufte e krime kundër njerëzimit”, thotë Lama.

Njohjet e shtetit të Kosovës, viteve të fundit kanë shënuar rënie, por nuk kanë munguar as tërheqjet e njohjeve të mëhershme, deri më tani janë bërë 15 të atilla.

Në vitin 2020 i ka ardhur vetëm një njohje dhe ajo nga Izraeli. Izraeli e ka njohur Kosovën pas arritjes së marrëveshjes ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e pëlqyeshme nga ana e SHBA-së.

Ish- diplomatja Alma Lama thotë për Ballkani.info, se drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme nga ana e Behgjet Pacollit, i ka sjellë dëme të pariparueshme vendit dhe vështirë të kompensohen.

Lama thotë se ministrja Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë punë më serioze, por diplomacia e Kosovës nuk ka një strategji të qartë.

“Për sa i përket diplomacisë kosovare, drejtimi i MPJ-së nga Behgjet Pacolli i ka sjellë dëme të pariparueshme vendit, mbi të gjitha 15 njohjet e tërhequra që është e vështirë të kompensohen nga çdo qeveri. Një punë më serioze ka bërë ministrja aktuale, Haradinaj, por diplomacia e Kosovës nuk ka një strategji të qartë se cilat janë prioritet e saj, qëllimet objektivat. Më shumë është diplomaci reaguese ndaj aksioneve të Serbisë dhe diplomaci e tipit ad hoc”, shprehet Lama.

Ajo thotë se Kosova duhet të koordinohet me ndërkombëtarë, por edhe t’i ketë synimet e qarta në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Kosova duhet të koordinohet në çdo hap me SHBA-në dhe BE-në, por duhet të ketë edhe synimet e saj të qarta në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sipas mendimit tim, ajo duhet të mos humbë shumë energji për njohje nga çdo shtet i botës, pasi në fund të ditës edhe nëse këto njohje vijnë, do të varet nga Këshilli i Sigurimit anëtarësimi në OKB, dhe ne i kemi dy kundërshtarë të fuqishëm aty, Kina dhe Rusia që nuk lëshojnë pe për shkak të interesave të tyre gjeopolitike. Përqendrimi duhet të jetë të raportet me vendet jo njohëse të BE-së dhe anëtarësimi në NATO.  Hapi i parë drejt suksesit është të dish vetë çfarë do, hapi tjetër është të punosh për të, e mbi të gjitha në dialogun me Serbinë të ketë kërkesa të qarta të shtruara nga ana e përfaqësuesve të Kosovës”, përfundon Lama./Ballkani.info./