​Vitia: Të vaksinohen për 30 ditë 15% e popullatës, nuk realizohet edhe sikur të jesh ‘supermen’

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në vazhdim të seancës së sotme të Kuvendit ku po debatohet për gjendjen me pandeminë COVID-19, ka thënë se nëse ka refuzuar të nënshkruajë për vaksinat atëherë ai do të jep përgjegjësi ligjore, penale, morale e deri në dorëheqje.

Vitia derisa i ka dhënë përgjigje deputetit të AAK-së Bekë Berisha, tha se dorëheqja është akti më i lehtë, derisa shtoi se do të bartë përgjegjësi ligjore.

“Unë nuk kam thënë dje se do të jap dorëheqje, dorëheqja është akti më i lehtë në atë që kam thënë dje. Unë kam thënë se do të bartë përgjegjësi ligjore, penale, morale, deri në dorëheqje, do të thotë dorëheqja është akti më i lehtë që mund ta bëjë. Ajo nuk më lanë prej kurrgjë. Unë prapë po e them me përgjegjësi të plotë nëse kam refuzuar të nënshkruaj diçka si po aludoni ju dhe disa nga deputetët paraprakisht, unë do të jap përgjegjësi penale, juridike, morale, çfarëdo përgjegjësie e cila mund të më ngarkohet do ta mbajë pa asnjë problem”, tha ai.

I pari i Shëndetësisë i është përgjigjur deputetit Berisha edhe për vaksinimin e popullatës, ku tha se të thuhet që për 30 ditë të vaksinohet 15 për qind e popullatës edhe po të ishte ‘supermen’ nuk do të mund ta bënte.

“Sinqerisht, të thuash se është dashur të vaksinohen për 30 ditë 15 për qind e popullatës kur nuk kemi gjetur asnjë vaksinë, e disa prej negociatave nuk kanë qenë në dinamikën e duhur, faleminderit që shpresoni kaq shumë në neve, por edhe sikur dikush të ishte ndoshta ‘supermen’ nuk do të kishte mund ta organizojë këtë. Vaksinimi i popullsisë prej 15 për qind për 30 ditë, pa pasur asnjë vaksinë, kur kemi hyrë ne më datën 23 mars është jashtë çdo pritje dhe jashtë normales. Në anën tjetër, vetëm t’ju rikujtoj në asnjë moment të vetëm as gjatë fushatës, ne nuk kemi thënë për gjashtë muaj, kemi thënë deri në fund të vitit edhe atë ju garantojë edhe juve edhe qytetarët e Republikës së Kosovës se kur të vijnë vaksinat, që do të vijnë shpejtë ajo do të bëhet deri në fund të vitit 60 për qind e popullatës grup-moshave të cilat duhet të vaksinohen sipas standardeve të OBSH-së kjo do të bëhet”, tha Vitia.

Vitia u është përgjigjur edhe deputetëve të tjerë që kanë shtruar çështje sa i përket mungesës së barnave nëpër spitalet e Kosovës, ku tha se është koshient që nuk ka barna dhe se nuk ka pasur mjaftueshëm, por që u shpreh se janë duke punuar për ta sanuar këtë problem.

Ministri i Shëndetësisë foli edhe sa i përket vaksinës AstraZeneca, ku tha se i garanton qytetarët se ajo vaksinë është e sigurt dhe se nga 24 mijë dozat që janë marrë në Kosovë nuk ka pasur asnjë efekt serioz.

Sa i përket masave në fuqi, Vitia tha se nga Policia e Kosovës kanë marrë përgjigje se shumë më lehtë është të mbikëqyret respektimi i masave antiCOVID me kufizim të lëvizjes sesa pa të.

“Kërkesa për masa më rigoroze nga IKSHPK janë bërë qysh në muajin nëntor të vitit 2020 dhe këto masa kur jemi ulur dhe i kemi diskutuar dhe i kemi analizuar nga çdo perspektivë. Sa i përket efektshmërisë së tyre unë e keni pa edhe statistikat në javën e kaluar janë me dhjetëra raste më pak fatale dhe me qindra raste më pak të hospitalizimeve. Do të thotë masat kanë dhënë efektin e tyre, sistemi shëndetësor, spitalet tona në këtë javë që po flasim dhe javën e kaluar kanë marrë frymë lirisht më mirë sesa një javë më herët”, tha ai.