​Vitia shpall qytetar nderi Nishanin dhe Jahjagën

Me rastin e 20- vjetorit të çlirimit të komunës së Vitisë ky qytet ka shpallur qytetar nderi ish- presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishanin dhe ish- presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kryetari i komunës së Vitisë, Skënder Haliti, tha se 20 vite më parë Vitia mori frymë lirshëm fal kontributin të UÇK-së dhe ndihmës e aleatëve ndërkombëtar. Sipas tij mirënjohja më e mirë për lirinë ndaj gjithë atyre që kontribuuan është puna e mirë për ndërtim të vendit dhe të një shoqërie demokratike.

Haliti teksa ka folur për qeverisjen e tij lokale tha se kanë arritur të rrisin kapacitetet për shërbimet e qytetarëve me qëllim qe të sigurojnë mirëqenie për të gjithë.

“Përgjatë këtyre viteve kemi rritur kapacitetet për shërbim të qytetarëve dhe në ndërtim të infrastrukturës së nevojshme, po vazhdojmë që të sigurojmë për qytetarët tanë mirëqenie më të mirë një zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik kushte më të mira në punë dhe institucione. Shërbime më cilësore në shëndetësi, arsim më cilësor, infrastrukturë më të kompletuar ambient më të pastër dhe një Viti me të ardhme të ndritur për të gjithë pa dallime”, tha ai.

Ish-presidenti shqiptar, Bujar Nishani teksa ka uruar 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, tha se këtë vit Kosova po shënon 20 vjetorin e rezistencës popullore mbi barbarinë serbe dhe 20 -vjetorin e nisjes së një partneritetit të rëndësishëm me vendet perëndimore.

Nishani po ashtu tha se toka e Kosovës u pushtua nga shumë pushtues por asnjëri prej tyre nuk arriti ta zhbëjë popullin e saj.

“20 vjetorin e rezistencës popullore mbi barbarinë e hekurit dhe të zjarrit, 20 -vjetorin e përbaltjes së Ushtrisë Çlirimtare me nazizmin e kohërave moderne të Ballkan, 20 vjetorin e martirizimit të bijve dhe bijave të Kosovë, bijve më të mirë të saj që ndërtuan themelet e këtij vendi për mijëvjeçarët e ardhshëm. Kujtojmë edhe një herë nisjen e një partneriteti madhështor të Kosovës me perëndimin me miqtë e saj më të mirë, 20 vjetorin e triumfit të civilizimit mbi barbarinë, 20 vjetorin e nisjes se një epoke të re që po ngrihet mbi dhimbjen e së shkuarës por nuk e ndalon me rendjen e shpresës për të ardhmen”, tha ish presidenti shqiptar.

Gjatë kësaj ceremonie kryetari i komunës së Vitisë ka ndarë edhe çelësin e qytetit për këto dy personalitete. Të pranishëm në këtë event ishin edhe personalitete të njohura politike dhe të sigurisë vendore e të huaj. Në dekadën e dytë të çlirimit të Vitisë në qendër të qytetit kanë defiluar mekanizma institucionale dhe grupeve kulturore, artistike e sportive të komunës së Vitisë.