​Vetëvendosje: Truprojat e presidentit gjakosën aktivistin tonë që guxoi të ngrejë zërin ndaj Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas rrahjes së një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës derisa presidenti Hashim Thaçi po mbante një konferencë për media, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Truprojat e presidentit përçarës kanë goditur dhe e kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin Veron Hasani vetëm pse ky i fundit ka guxuar të ngrejë zërin gjatë kohës kur Hashim Thaçi po mbante konferencë për media në shesh, ka thënë Vetëvendosje në reagimin e saj.

Aktivisti Veron Hasani ka thirrur “o hajn!”, duke besuar se në Kosovë ende funksionon demokracia dhe liria e fjalës. Por kështu nuk mendon Thaçi dhe truprojat e tij, thuhet më tej në reagim.

Vetëvendosje thotë se nga pamjet e videos bashkangjitur, xhiruar nga mediat, shihet qartë sjellja çnjerëzore dhe brutale e këtyre truprojave ndaj një qytetari që nuk ka bërë asgjë, përveçse ka folur. Me të mbaruar punë me qytetarin, truprojat i janë kthyer gazetarit, i cili po ashtu është sulmuar që t’i merret videoja. Mbulimi i gjurmëve, karakteristikë e bashkëpunëtorëve të këtij presidenti.

Vetëvendosje bën me dije se kjo parti, aktivistët e saj dhe qytetarët nuk ua kanë frikën ‘shkelmave’ të fundit të ‘Pronto-Presidentit që ka humbur toruan dhe së bashku me qytetarët do ta ndalim atë dhe gjithë abuzuesit’.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Veronit, si dhe kërkojmë nga organet e rendit arrestimin e këtyre personave të cilët godasin qytetarët vetëm pse flasin lirshëm në sheshet e Republikës. Ftojmë edhe organizatat që merren me monitorimin e të drejtave njerëzore e politike, me demokracinë e lirinë e fjalës, të reagojnë kundër kësaj arrogance diktatoriale që po tenton të imponohet nga ana e Thaçit në Kosovë”, përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.