​Qytetarët mirëpresin shtrëngimin e masave antiCOVID-19

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa më rigoroze në luftimin e përhapjes së koronavirusit, duke mos përjashtuar as mundësinë e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Maskat, distanca fizike dhe higjiena personale janë tri kërkesat që institucionet shëndetësore kanë ndaj qytetarëve. Megjithatë, sonte pritet që Qeveria të ndërmarrë masa shtesë për të parandaluar përhapjen e virusit.

Ndër to parashihet të ketë dezinfektues në çdo objekt, të ndalohen tubimet publike dhe ritet fetare deri në një vendim tjetër, por edhe dënime për të gjithë ata që nuk zbatojnë këto masa.

E masat e paralajmëruara sot nga kryeministri Avdullah Hoti, kanë gjetur mbështetje te qytetarët, të cilët i shohin ato si të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Qytetarja Florentina Maliqi, tha për KosovaPress se masat e ndërmarra janë të duhura dhe se ato duhet të respektohen, si mënyrë e vetme për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

“Për mendimin tim është më mirë të përdoren maskat dhe të mbrohet shëndeti ynë…Më mirë të ketë dënime, pasi po rrezikohemi pastaj ne, më mirë është të bartim maskat dhe të mbrojmë shëndetin tonë”, tha ajo.

Edhe qytetari tjetër Sokol Hamiti, masat e qeverisë kundër COVID-19 i sheh si të domosdoshme, por që thotë se në vend të dënimeve të paralajmëruara duhet më tepër vetëdijesim i qytetarëve.

“Është mirë me i mbajt, është edhe për qytetarët edhe për të gjithë, pastërtinë me e mbajt në nivel…, maskat, dorëzat se është rrezik për shëndetin e njeriut. Qytetarët nuk i kanë mbajtur maskat hiç, nuk i kanë respektuar, nuk kanë mbajtur distancë… Dënimet janë shumë të paarsyeshme, por nevojitet një vetëdijesim më i madh”, tha ai.

Ndërsa, Ibrahim Mehmeti thotë se masat e ndërmarra nga qeveria janë në të mirë të qytetarëve, derisa theksoi se edhe vetë qytetarët duhet të vetëdijesohen sa i përket masave mbrojtëse kundër COVID-19.

“Masat i kanë ndërmarrë të mira janë disa sugjerime, popullata thuajse shumica po i përdorin…Shumë e vlefshme është kjo, duhet patjetër me i përdor të gjithë”, tha ai.

Qytetari Abedin Blaku, tha se arsye pse ai kishte dalë shesheve të qytetit pa maskë është për shkak se ato po kushtojnë shumë shtrenjtë. Ai thotë se do të ishte mirë që në kuadër të masave të shpërndahen falas maskat për qytetarët.

“Është mirë t’i mbajmë maskat, por unë vetë nuk e kam, janë shtrenjtë edhe me i ble, populli nuk ka para… DO të ishte mirë që ato të shpërndahen falas”, tha ai.

Deri më tani në vendin tonë janë 4715 raste me COVID-19, prej tyre 2227 janë të shëruar dhe janë 101 të vdekur.