​Qeveria e Kosovës ndihmon me nga 30 mijë euro familjet e viktimave në Artanë

Dy minatorë, inxhinieri Haki Arifi e xehetari Idriz Gërbeshi, vdiqën sot nga shembja e dheut në horizontin e katërt, punishtja 24/9, në minierën e Artanës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vendosur t’i ndihmojë familjet e tyre me nga 30.000 euro dhe bursë për fëmijët që po e ndjekin shkollimin, teksa djalit të madh të Idrizit, 21-vjeç, do t’i ofrohet mundësi punësimi në minierë.

Pas lajmit për tragjedinë, në Artanë shkoi menjëherë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdari, ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministrin në detyrë të Mbrojtjes, Enver Dugolli dhe kryeshefin e KEK-ut Luigj Imeri.

Aty të pranishëm ishin edhe kryeshefi i Trepçës, Hysen Vrajolli, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Minierës së Artanës, Blerim Ymeri dhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku.

Qeveria e Kosovës i shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave.

Ndërkohë bëhet e ditur se nuk ka asnjë minator tjetër të ngujuar. Ekipi i mjekësisë ligjore, ai i FSK-së dhe i kërkim-shpëtimit të KEK-ut janë duke punuar për nxjerrjen e trupave të dy minatorëve nga miniera.