​Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës” familjes së heroit Salih Çekaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit të kombit, Salih Çekaj, të cilin ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2005.

Në një njoftim të dërguar nga presidenca e Kosovës bëhet e ditur se, në një ceremoni me familjarë të heroit Salih Çekaj, presidentja Osmani ka theksuar se kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe shtrihej në shumë kohë e drejtime.

“Një jetë e tërë në shërbim të kombit dhe atdheut. Salih Çekajn e gjejmë në ballë të betejave për organizimin e jetës institucionale dhe rezistencës ndaj pushtimit të Kosovës gjatë fillimit të viteve të 1990-ta. Pas largimit nga Kosova për t’i shpëtuar arrestimit nga regjimi pushtues i Serbisë, Salih Çekaj dha një kontribut të pashoq në organizimin e diasporës shqiptare dhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Evropën Perëndimore”, ka theksuar Osmani.

Sipas saj, ai ka pasur rol qendror në organizimin e rezistencës së armatosur për liri dhe pavarësi të Kosovës, që në fillet e para të organizimit institucional të formacioneve të armatosur të Republikës së Kosovës dhe në organizimin dhe shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Salih Çekaj ka organizuar dhe drejtuar me shkathtësi dhe trimëri disa nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në rënien e tij heroike, në betejën e Koshares”, theksoi presidentja Osmani.

Ndërkaq familjarë të heroit Salih Çekaj falënderuan presidenten Osmani për respektin jo vetëm ndaj heroit, por edhe të luftës çlirimtare.