​Nagavci: Mbarëvajtja e procesit mësimor në këtë periudhë varet nga të gjithë ne

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka kërkuar zbatimin e masave dhe rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë, duke thënë se mbarëvajtja e procesit mësimor në këtë periudhë varet nga të gjithë ne.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se mësimi ka nisur në të gjitha shkollat e vendit tonë dhe se janë bërë përgatitjet e duhura për të zbatuar masat kundër pandemisë.

“Por, nuk mjafton vetëm kaq. Ne, të gjithë së bashku, duhet t’i zbatojmë masat dhe rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë, sepse kështu e ruajmë shëndetin e të gjithëve dhe sigurohemi që shkollat të presin nxënësit për çdo ditë dhe me orar të plotë”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ju ka uruar suksese nxënësve, teksa ka vizituar sot shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.