​Mbi 50 përqind janë rritur ankesat për tarifa ndaj bankave komerciale

Mbi 50 përqind janë rritur ankesat ndaj bankave komerciale për shtrenjtimin e tarifave për shërbimet bankare.

Kështu është thënë sot në diskutimin rreth rolit të Bankës Qendrore të Kosovës në fushën e Mbrojtjes së Konsumatorit.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti tha se vend të rëndësishëm kanë zënë aktivitetet, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e Konsumatorit të shërbimeve financiare, duke u fokusuar në dy shtyllat kryesore të mbrojtjes së Konsumatorit: shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve dhe edukimi financiar.

Në kuadër të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së, Mehmeti tha se gjatë këtyre viteve ka ndikuar që vendi të ketë një sistem financiar modern dhe të shëndoshë, i cili me shumë sukses po realizon rolin e tij të ndërmjetësimit financiar në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala tha se mbrojtja e konsumatorit paraqet obligim institucional dhe MTI është zotuar që të përmirësoj pozitën e konsumatorit.

Petrit Balija nga Shoqata e Bankave tha se megjithëse ka një rritje të ankesave, kjo sipas tij, mund të konsiderohet pozitive për nivelin e edukimit.

Balija shtoi se do të marrin masa për këto ankesa, meqë ëshë shumë prej tyre janë shqyrtuar nga BQK.

Për avancimin e kornizës ligjore, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku tha se korniza rregullative ligjore duhet t’i përshtatet edhe shërbimeve për qytetarët ose konsumatorëve që të jenë më të mbrojtur.

Për sa i përket këtij sektori, Mazreku tha se është një numër vogël i ankesave për sektorin e sigurimeve.

Edhe Arsim Bruqaj drejtor i ekzekutiv për institucionet mikrofinanciare të Kosovës ka folur për numrin e ankesave që janë parashtruar për institucionet mikrofianciare, për të cilin sektor janë paraqitur ankesa të shumta.

Në këtë diskutim është bërë prezantimi i mënyrës së shqyrtimit të ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare në BQK dhe në institucionet financiare.