​Kurti uron besimtarët katolikë për Krishtlindje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka uruar besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjes, duke uruar që kjo festë sivjet të sjellë forcë e shëndet, në kohën kur vendi sikurse e gjithë bota po përballet me pandeminë koronavirus.

Ai në një postim në Facebook ka shprehur besimin se pavarësisht se kjo festë e rëndësishme sivjet festohet nën kufizime e masa, do ta tejkalohet edhe kjo sfidë e madhe e pandemisë.

Postimi i plotë:

Shqiptarët katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë, sot presin Krishtlindjen në një situatë padyshim të pazakontë. Kjo festë e rëndësishme kolektive për të krishterët, që çdo vit e presin me ceremoni të bukura e mesha festive, sivjet festohet nën kufizime e masa.

Por Lindja e Krishtit është mesazhi universal i shpresës, që vjen te çdo njeri e që triumfon, mesazh i dashurisë që ngadhënjen mbi vetminë e braktisjen. Me shpresë e besim e duke ndenjur pranë me zemra edhe pse në distancë fizike, do ta tejkalojmë këtë sfidë të madhe të pandemisë.

Uroj që Krishtlindja sivjet të sjellë forcë e shëndet, për besimtarët e krishterë e familjet e tyre, sigurisht edhe për klerikët që shërbejnë në kishat tona. Qoftë e bardhë e sjelltë bekime kjo festë motra e vëllezër të krishterë.

Kjo festë e juaja, por që sipas traditës shqiptare të festave fetare urohet e gëzohet gjerësisht nga bashkësia kombëtare, pra është edhe e jona.