​Jashari shpalos para qytetarëve punën njëvjeçare dhe projektet e realizuara në fshatrat e Skenderajt

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, gjatë një takimi publik sot me qytetarët, ka prezantuar punën njëvjeçare të qeverisjes së tij, duke bërë të ditur projektet e realizuara në çdo pjesë të komunës, dhe ato që janë në realizim e sipër dhe priten të përfundojnë së shpejti.

Pa marrë parasysh shumë sfida si pasojë e COVID-19, Jashari tha se brenda këtij viti janë zgjidhur shumë probleme jetike për qytetarët, ku vetëm 11 fshatra janë bërë me ujë të pijshëm, ndërsa 10 të tjera do të bëhen vitin e ardhshëm.

Jashari ka përmendur se komuna që ai udhëheq i ka dhënë prioritet të veçantë zhvillimit të bujqësisë, duke pesëfishuar buxhetin nga 48 mijë për vitin 2018 në 217 mijë e 730 euro këtë vit, ku së bashku me donatorët kanë përkrahur rreth 500 fermerë me një ndihmë në vlerë totale prej rreth 400 mijë euro.

Një vëmendje e madhe i është kushtuar ndihmës së familjeve në nevojë për shkak të pasojave COVID-19, ku me qëllim të tejkalimit të kësaj gjendjeje janë ndihmuar mbi 5 mijë familje me pako ushqimore, ndërsa janë ndarë edhe 66 mijë euro për t`u dalë në ndihmë 50 familjeve në përmirësimin e kushteve të jetesës.

Kryetari Jashari tha se studentët nga kjo komunë janë përkrahur me bursa, ku nga buxheti komunal janë dhuruar 170 bursa si dhe 27 të tjera nga donatorët, ndërsa për shujta për mësimdhënësit gjatë këtij viti janë ndarë 800 mijë euro për mësim-dhënësit dhe punëtorët teknikë.

Në fokus të veçantë ai tha se i është dhënë edhe ruajtjes së mjedisit, duke larguar deponitë ilegale në zona urbane e rurale e po ashtu duke i pajisur ekonomitë familjare me shporta për mbeturina, ku vitin e ardhshëm synohet afër 100% të përmbushet plani i furnizimit me kontejnerë për ekonomitë familjare.

Jashari bëri të ditur se vetëm brenda këtij viti janë asfaltuar 41 kilometra e 659 metra rrugë dhe është rregulluar sistemi i kanalizimit me gjatësi mbi 85 kilometra, ndërkohë që përmendi edhe shumë projekte të fushës së kulturës, si dhe premtoi se përkrahja e tij për këtë fushë nuk do të mungojë as në të ardhmen.

Edhe qytetarët e pranishëm u shprehen të kënaqur me projektet që janë realizuar në Skenderaj dhe përkrahja që iu është dhënë atyre nga komuna në fusha të ndryshme.

Për sugjerimet dhe kërkesat e paraqitura nga ana e tyre, Jashari u zotua që do të realizohen në të ardhmen duke kërkuar bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve si dhe sfidave që mund të paraqiten.