​Ismaili: Zemaj me vendimin për barnat rikthen krimin dhe korrupsionin në shëndetësi

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj për sjelljen skandaloze rreth vendimit për çmimin e barnave në Kosovë. Në një konferencë për media, Ismaili ka thënë se ky akt e rikthen krimin në shëndetësi, u shërben disa individëve dhe e varfëron popullin.

Ai ka kërkuar që të mos manipulohet dhe ministri Zemaj të mos rreshtohet me krimin, korrupsionin dhe plaçkitjen në shëndetësi.

Krijimi i një ekipi të ri është vetëm një blerje kohe, e cila do të mund të shfrytëzohet nga kompanitë për abuzim me çmimet e barnave.

“Ky manipulim do t’u kushtojë qytetarëve tanë, të cilët do të vazhdojnë të blejnë barna me çmime më të shtrenjta se qytetarët e shteteve përreth. Anulimi një herë, e pezullimi tash, i Udhëzimit që rregullon dhe ulë çmimet e barnave, është fitore e interesave të grupeve kriminale që dëshirojnë të pasurohen në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Është kthim prapa në shëndetësi, është varfërim i qytetarit dhe është pajtim që paratë e taksapagueseve të mos investohen, por të keqpërdoren”, tha ai.

Një ndër pengesat më të mëdha të zhvillimit të shëndetësisë, sipas tij ka qenë korrupsioni masiv në blerjen e barnave, që i ka pasuruar disa, por e ka varfëruar popullin.

Ismaili potencoi se për 20 vjet me radhë, Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët janë dëmtuar financiarisht duke shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit.

“Për kohë të gjatë, paraja publike është keq-shfrytëzuar. Barnat që kanë mundur të blihen me 3 euro, janë blerë me 30 euro. Për kohë të gjatë, miliona euro u janë dhënë kompanive, të cilat nuk kanë pasur për qëllim ofrimin e produkteve më cilësore me çmime më të lira, por pasurimin brenda natës dhe marrjen e kontratave milionëshe. Ky rrjet kriminal ka qenë dhe mbetet ende rrezik i sektorit të shëndetësisë dhe plaçkitës i parasë publike”, tha ai.

Ai tha se për 20 vjet, qytetarët tanë kanë blerë barna më të shtrenjta në barnatoret e Kosovës sesa qytetarët në Maqedoni dhe në Shqipëri.

Andaj sipas tij përmes Udhëzimit Administrativ të nënshkruar në vitin 2019 ndaloi abuzimin me çmimet e barnave.

“Udhëzimi Administrativ, të cilin unë e kam nënshkruar në vitin 2019, e të cilin Ministri Zemaj e anuloi dje dhe e pezulloi sot për blerje kohe, ndalonte abuzimin me çmimet e barnave – duke ndaluar këdo që ofertonte çmime më të larta se në treg dhe vendoste rregullin për t’i ulur dhe nivelizuar çmimet nëpër të gjitha barnatoret e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai në fund kërkoi nga Qeveria që urgjentisht ta jetësojë Udhëzimin Administrativ, të nënshkruar në vitin 2019, e të mos lejohet të shfrytëzohet pandemia sic tha ai për t’i dhënë krahë krimit.

Ndërsa ka përshëndetur reagimin qytetarë dhe mediave, organizatave joqeveritare dhe odave profesionale përkitazi me anulimin e këtij vendimi nga ana e ministrit Zemaj.