​Haradinaj-Stublla takon Zëvendës Sekretarin Gjeneral të NATO-s

Integrimi në NATO është një ndër prioritetet strategjike të Kosovës, tha të premten Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në takimin që zhvilloi në Bruksel me Zëvendës Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Mircea Geoana.

“NATO për qytetarët e Kosovës është simbol i lirisë dhe si e tillë mbetet, lidhje historike e strategjike tash e 21 vjet”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla, duke shprehur mirënjohjen e thellë për prezencën e NATO/KFOR-it në Kosovë, dhe rolin e tyre kontributdhënës në funksion të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Në këtë takim shumë të frytshëm të mbajtur në selinë e NATO-s, kryediplomatja e Kosovës kërkoi nga Zëvendës Sekretari Gjeneral, z. Geoana, mbështjeten e plotë të NATO-s për Kosovën në procesin e përmbylljes së dialogut me Serbinë.

“Bashkarisht do të punojmë në thellimin dhe avancimin e marrëdhënieve tona që presim të rezultojnë në të ardhmen jo të largët, me anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla, duke theksuar se “ky është synimi ynë, e drejta jonë dhe nga ky rrugëtim nuk ka kthim prapa”.