​E drejta e trashëgimisë, Clard dhe IKD mbështesin Afërdita Statovcin

Afërdita Statovcit tash e 13 vjet po i mohohet e drejta për trashëgimi. Për 13 vjet me radhë, ani pse ka kërkuar drejtësi, rasti është zvarritur dhe dy herë lënda është kthyer në rigjykim.

“Në moshën 10 vjeçare më ka vdekur babai, pastaj axha më ka dëbuar nga shtëpia. Kam bërë një padi në vitin 2006, kanë kaluar 13 vjet që unë ballafaqohem me këtë padrejtësi, kom pas shumë sfida të mëdha, për momentin jam shumë keq financiarisht dhe është shumë keq me jetu për të ardhura”,tha ajo.

Rastin e saj, Statovci e ka rrëfyer sot në një konferencë të organizuar nga Qendra për ndihmë juridike dhe zhvillim rajonal- CLARD dhe Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Anton Nrecaj nga Clard ka treguar se si ka rrjedhur ky rast. ” Ka më shumë se 10 vjet që e kam marrë përsipër këtë rast. E ka dorëzuar kërkesë padinë në vitin 2006,dhe subjekt i padisë ka qenë realizimi dhe shqyrtimi i të drejtës së pronës. Afërdita pretendon që ka të drejtë prone. Pas vdekjes së babait të Aferditës, këtë pronë e ka marrë axhi i Afërditës. Në këtë proces nëna e Aferditës ka hequr dorë. Në vitin 2009,gjykata Komunale e nxjerr aktgjykimin për çka ja jep të drejtën e trashëgimisë Afërdites. Pas nxjerrjes së këtij aktgjykimi dhe skadimit të afatit ligjor për të vazhduar në shkallë të dytë, me datë 15.10.2009, ka hequr klauzolën e plotfuqishmërisë të po të njëjtit aktgjykim ku znj. Statovci kishte fituar të drejtën në trashëgimi”, tha Nrecaj.

Nrecaj tha se gjatë këtyre 13 viteve rasti ka kaluar në duart e 16 gjyqtarëve.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se me rastin e Afërdita Statovcit është luajtur pingpong.

“Ne si IKD bashkëndjejmë me fatin e Statovcit në pamundësinë për realizimin e të drejtave të saj në pronë. E kemi pranuar kërkesën e Clard në adresimin e kësaj çështje që sa më shpejt të kemi një vendim përfundimtar. Për ne si IKD rasti i Statovcit është rast strategjik kjo është vetëm një rast qe përfaqëson raste të tjera, dhe zvarritet rasti i saj për 13 vjet. Kemi shkelje të parimeve kushtetuese. Kemi 13 vite që luhet pingpong me rastin e saj. Këtu kemi edhe mos respektim të rekomandimeve të avokatit të popullit. Ajo duhet t qpres edhe shtatë vjet që të ketë diçka meritore”, tha ai. Ai tha se ka raste që zgjedhin më shpejt, e jo që në të tretën herë të kthehet në gjykatën themelore.

Ky rast sipas Zekajt bjen ndesh edhe me parimet që Kosova po tenton të bëjë për inkurajimin e grave për të drejtën e trashëgimisë së pronës.