​Dëshmitarja: Gucati e Haradinaj mbahen padrejtësisht në Hagë, dosjet kanë rrjedhur nga ZPS

Gazetarja Elmedina Ballazhi ka dhënë dëshminë e saj para Dhomave të Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ku rrëfyer rastin e filmimit të një veture pranë organizatës në të cilën ka thënë se ishin personat që i kishin sjellë dosjet.

Ndër të tjera, Ballazhi e cila është dëshmitare e mbrojtjes ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po mbahen padrejtësisht në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe sipas saj dosjet kanë rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Deklarata me shkrim e dëshmitares së mbrojtjes është lexuar vetëm një pjesë meqë disa paragrafë janë kundërshtuar nga prokuroria.

Në deklaratën e saj me shkrim, Ballazhi ka thënë se më 16 shtator derisa ishte duke kryer punën si gazetare duke realizuar anketa me qytetarë në Prishtinë, pranë zyrës së OVL-UÇK kishte parë një veturë nga e cila kishte dalë një person me disa paketa të cilat sipas saj i kishte dërguar në zyrat e organizatës.

Krejt kjo, Ballazhi ka thënë se është e filmuar dhe publikuar pastaj në portalin ku ajo punonte në atë kohë.

“Atë personin që doli nga vetura ë pash që ishte mashkull dhe kishte veshur rroba sportive, maskë dhe kapele…E di që nga lëvizjet që i kanë bërë vetëm e kam shikuar dhe ju kam lutur Pajtimit të xhirojë, dhe ai ka dalë nga vetura, e kam lutur shumë të fillojë të xhirojë, e kam tërheq vëmendjen nga vetura nuk më ka interesuar vetëm jam fokusuar në atë personin që kishte pako në duar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, pas pak minutash personi kishte dalë duke vrapuar nga objekti ku ndodhen zyrat e organizatës. Ajo ka thënë se askush nuk e ka paralajmëruar që do të dorëzoheshin dokumente në OVL-UÇK dhe prezenca e saj dhe kameramanit aty kishte qenë rastësi.

Ballazi ka thënë se ZPS asnjëherë nuk e ka kontaktuar atë apo portalin ku ishin publikuar këto xhirime.

Ndërsa prokuroria i ka paraqitur Ballazhit një video të një intervistë që ajo e kishte realizuar me bashkëshorten e Nasim Haradinajt.

Ballazhi është pyetur nga prokurori pse në intervistë e quan Nasim Haradinajn person me drejtësi të plotfuqishme dhe ajo ka thënë se Haradinaj ka vuajtur burg padrejtësisht.

“Duke e ditur që kam qenë vetëm katër vjeç e gjysmë që e kam përjetuar luftën e Kosovës dhe sot në sallën e gjyqit kur po mbushi 27 vjet në Kosovë po e festoj edhe lirinë, dhe për zotëri Haradinajn kam respekt dhe për të gjithë ata luftëtarë që luftuan që unë sot ta gëzoj lirinë. E kam cilësuar kështu sepse ky dhe shumë persona të tjerë në Kosovë kanë vuajtur burgun padrejtësisht”, ka thënë ajo.

Ballazhi ka thënë se Gucati dhe Haradinaj po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Unë këta dy persona, zotëri Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin nuk i quaj të akuzuar. Po mbahen padrejtësisht këtu. E mendoj për të vetmen arsye, se rrjedhja e dokumenteve mendoj qe ka ndodhur vetëm nga zyra e ZPS-së sepse gjykata është këtu në Holandë dhe nuk është në Kosovë. Pse lejuat pra rrjedhjen e këtyre dosjeve? Mendoj që këta po mbahen peng dhe jo të akuzuar”, ka thënë ajo.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.