​Bytyçi i PDK-së: Kurti sot më lehtë flet me Serbinë sesa bashkëpunon me shqiptarët

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, se së bashku me ministrat e tij më shumë po bashkëpunon me Serbinë sesa me shqiptarët.

Reagimi i tij vjen pas një video-konference që kishin sot ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia dhe homologut të tij serb Zlatan Lonçar, me praninë e KFOR-it, për të diskutuar në lidhje me bashkëpunimin kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

“Në parim, kisha pasur dëshirë të shoh një bashkëpunim të ngushtë mes të partive shqiptare për kërcënimin e përbashkët, mirëpo të vetmin bashkëpunim të ngushtë Albini e LVV-ja e ka me Serbinë dhe zyrtarët e saj. E kam shumë vështirë ta kuptoj: Pse Albini flet e bashkëpunon shumë më lehtë me Serbinë se sa me ne? Ku vajtën premtimet e dikurshme të LVV-së për bashkimin kombëtar e solidaritetin me Luginën e Preshevës?”, s hkruan Bytyqi në Facebook.

Postimi i plotë:

Në parim, kisha pasur dëshirë me pa një bashkëpunim të ngushtë mes të partive shqiptare për kërcënimin e përbashkët mirëpo të vetmin bashkëpunim të ngushtë Albini e LVV-ja e ka me Serbinë dhe zyrtarët e saj.

E këtu nuk e kam fjalën kur zgërdhihej me Brnabiqin, e as kafet e bashkëpunëtorëve të tij me Gjuriqin, e as bashkëpunimin e ministrit në detyrë Vitia me homologun e tij serb për veriun e Kosovës, duke ia dorëzuar kontrollin efektiv Serbisë për pjesën veriore të territorit të Kosovës.

Kisha pasur dëshirë me pa një bashkëpunim përtej konjukturave politike në mes të shqiptarëve, pasi që është shumë vështirë ta kuptoj: Pse Albini flet e bashkëpunon shumë më lehtë me Serbinë se sa me ne? Ku vajtën premtimet e dikurshme të LVV-së për bashkimin kombëtar e solidaritetin me Luginën e Preshevës?