​​Krerët e BE-së: Të bashkuar jemi më të fortë

Liderët e 27 shteteve që do të mbeten në Bashkimin Evropian pas largimit të Britanisë së Madhe nënshkruan sot në Sibiu të Rumanisë një deklaratë për të ardhmen e Evropës, me sloganin për të qëndruar të bashkuar pavarësisht të gjitha pengesave dhe të mbrojmë qytetarët.

”Të bashkuar jemi më të fortë”, shkruajnë krerët e shteteve dhe qeverive evropiane në një tekst i cili përmban një listë me dhjetë zotime për BE-në.

Në mesin e tyre përmenden mbrojtja e një Eurove si një e vetme, nga lindja në perëndim, nga veri në jug, por edhe uniteti përballë vështirësive dhe me një frymë solidariteti.

Të 27 u angazhuan gjithashtu të mbrojnë mënyrën e jetesës evropiane, demokracinë dhe shtetin e së drejtës si dhe respektimin e parimit të barazisë. Ata kërkojnë të ulin pabarazitë që ekzistojnë mes tyre, për të ruajtur të ardhmen për brezat e ardhshëm të evropianëve dhe mbrojtur qytetarët.