​Haziri: Babain e Agonit s’e kam njohur më herët, s’kisha informacione as për gjendjen shëndetësore të të ndjerit

Para Komisionit Hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë, dëshminë e tij lidhur me rastin e Agon Musliut e ka dhënë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Gjatë dëshmisë së tij ai tha se asnjëherë nuk i është komunikuar nga prindi i Agonit për gjendjen shëndetësor të të ndjerit. Madje ai thotë se me babain e Agonit, është njoftuar për herë të parë në ditën kur është kontaktuar nga ai me kërkesën që t’i ndihmojë në kthimin e të birit nga Gjermania.

Haziri tutje para Komisionit ka sqaruar gjithë rrjedhën e komunikimit që ka nisur në mes të babait të Agon Musliut dhe tij.

Por kreu i Gjilanit, ka kërkuar që sa më parë të zbardhen rrethanat e vdekjes së të riut gjilanas i cili humbi jetën në Qendrën e Studentëve në Prishtinës, e cila në kohën e pandemisë ishte shfrytëzuar si karantinë.

“Në ditët e fundit të muajit prill më ka kontaktuar drejtpërdrejt babai i tij, fillimisht dhe më vonë edhe me telefon duke më njoftuar lidhur me rastin e Agon Musliut i cili ka qenë në Gjermani në ditë e para të tij për të hulumtuar mundësitë e studimit për specializim zotëri Agon Musliu. Ai ka kërkuar që të angazhohem personalisht për kthimin e djalit të tij në Kosovë pasi ai ka mbetur i vetëm në banesë pas mbylljes totale të shtetit gjerman pas pandemisë COVID-19. E kam telefonuar ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj për ta njoftuar me kërkesën e babait të Agonit që në bazë të mundësive dhe detyrave të ambasadorit të mundësohet kthimi në atdhe ose riatdhesimi. Më 1 maj 2020 prapë zotëri Naim Musliu më ka njoftuar dhe ka kërkuar që t’i mundësohet të shkoj në aeroportin ‘Adem Jashari’ dhe ta marr djalin e tij. Qendra Operative Emergjente e Gjilanit me 1 maj 2020 i ka shkruar letër zyrtare Qendrës Operative në ministrinë e Punëve të Brendshme e cila ka kthyer përgjigje që zotëri Musliu mund të shkojë në aeroport. Më 3 maj zotëri Musliu prapë ka kërkuar nga Qendra Operative që të bëhet kërkesë Qendrës Operative në MPB pasi i nderi Agon Musliu nuk ndjehet mirë“, tha ai.

Haziri gjatë deklarimit të tij ka thënë se problemet shëndetësore të Agonit asnjëherë nuk ia ka përmendur babai i Agon Muslit. Ai tha se i gjithë procesi ka nisur me nevojën për riatdhesim të të ndjerit.

“Është thënë se studentët kanë përparësi dhe këtu ka përfunduar komunikimi im me ambasadorin, sepse ka reaguar…Problemet shëndetësore të Agonit asnjëherë nuk janë përmendur në raport prindi drejtpërdrejt me mua, por unë e kam mirëkuptua duke e ditur se është një djalë i ri që ai ka qenë i riatdhesuar në Kosovë me familje…36 Deri në rastin kur më ka kontaktuar për kërkesën e tij nuk e kam njohur zotër Musliu. Agoni është njohur si emër sepse ka qenë lexuesi më i mirë i shpallur në bibliotekën e qytetit dhe ka qenë edhe anëtar i rregullt i sallonit të libri në klubin e të rinjve. Por kjo ka ardhur si njoftim kur më ka njoftuar babai i tij, por kjo nuk ka të bëjë asgjë tjetër as me diagnoza mjekësore sa më përket mua dhe as me probleme tjera. Procesi krejt ka filluar me nevojën e riatdhesimit sepse është student”, tha Haziri.

Kreu i Gjilanit ka thënë në bazë të asaj që i është komunikuar nga babai i Agonit, tashmë i ndjeri ka pasur dokumentacioni që mos t’i nënshtrohet karantinimit.

Haziri thotë se si politikë e ka mbështetur karantinimin e qytetarëve që janë kthyer nga vendet tjera në Kosovës, por jo edhe mënyrën dhe formën që është zhvilluar.

“Me vetë faktin se ka zbritur në Aeroportin e Prishtinës për mua ka përfundua puna sepse gjithë të kthyerit u janë nënshkruar karantinimit sipas rregullave përmes kontrolles së fundit që duhet t’i nënshtrohet në aeroport. I ndjeri e ka pas gjithë dokumentacionin që mos t’i nënshtrohet karantinimit. Sipas asaj që jam njoftuar nga prindi i tij i cili ka luftua atë ditë që me kontaktua një person dhe djalin e vetë dhe të autorizuarit në karantinim por nuk arrit me takua askënd dhe për pasojë zhvillimet kanë rrjedhur…14’11 Unë e kam mbështetur karantinimin si politikë personalisht, por jo në formën dhe mënyrën që ka ndodhur ajo është diçka tjetër sepse në komunikimet që kemi pasur mandej me qendrën e emergjencave të MPB dhe MSH-së“, theksoi Haziri.

Deputeti nga PDK, Bekim Haxhiu u interesua të di se Haziri a ia ka dërguar ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj dokumentacionin që dëshmonte për gjendjen shëndetësore të Agon Musliut.

Lidhur me këtë kryetari i Gjilanit tha se nuk ia ka dërguar pasi që komunikimi më pas është zhvilluar drejtpërdrejt me familjen Musliu.

Kurse, Fatmire Kollçaku-Mullhaxha thirrjen individuale të kryetarit të Gjilanit e ka konsideruar si ndërhyrje politike.

“Konsideroj se është ndërhyrje politike a mendoni ju që mund të konsiderohet ndërhyrje politike telefonat duke pasur gjithë procedurat dhe organet prej qendrave operative nëpër komuna ku koordinatorëve që kanë udhëheqë të gjitha ekipet e deri tek Qendrat Operative në MPB dhe MSH që kanë funksionuar dhe është dashur të gjitha rastet të kalojnë me njëfarë rregulli, e jo me telefonata direkte tek ambasadorët”. A keni dhënë çfarëdo forme premtim prindit të fëmijut se ai nuk do të shkojë në karantinim”,pyeti deputetja e LVV-së.

Kurse Haziri tha se kjo nuk qëndron pasi kryetari i Komunës ka kompetenca që drejtpërdrejt të ndikojë në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

“Në asnjë ligj nuk ndalohet komunikimi me institucionet e shtetit kudo që janë ato, kryesuesja e këtij paneli është me përvojë në pushtet lokal dhe e dinë saktë rolin e kryetarit të komunës…. Nuk kemi pushtet të mesëm dhe as nuk kemi zyre tjetër që na obligon me u lidh me zgjedhjen e problemeve. Ne drejtpërdrejt kemi të drejtë me u marr me zgjidhjen e problemeve. Nuk është kërkuar prej meje me dal në aeroport por është kërkuar që vetë prindi me dal me prit dhe jo me dal me marr është dallim i madh. Me pas kërkuar ai me të edhe unë isha dal”, u shpreh Haziri.

Deputeti i AAK-së, Shkumbim Demalija u interesua të di më shumë rreth komunikimit që për rastin në fjalë e kishte zhvilluar Haziri me ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Izet Sadiku.

Haziri ka pranuar që ka kërkuar ndihmë për Agon Musliun nga ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, pasi siç tha ai kontakte me Qendrën Karantinë nuk ka pasur.

“Nuk kam mundur të thërras njeri tjetër dhe në atë kohë në ato rrethana përveç zëvendësministrit Izet Sadiku, dhe ky është raporti më shumë personal që ka ndodhur me Izetin sepse ka qenë zëvendësministër, dhe po të mos ishte zëvendësministër nuk e kisha thirr, por unë nuk kam pasur kontakte me qendrën karantinë e as me individë tjerë“, tha Haziri.

Pas kryetarit të Gjilanit, në Komisioni Hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë nga qeveria e Kosovës, dëshminë e tyre do ta japin edhe udhëheqës i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan, Fadil Kajtazi si dhe udhëheqës i Qendrës Operative në Ministrinë e Shëndetësisë, Pashk Buzhala.