Superliga e Kosovës

Muhamet Hyseni, ylli i javës në Superligë

Muhamet Hyseni është zgjedhur futbollisti më i mirë i xhiros së 31-të të Superligës së futbollit.

Sulmuesi i Llapit i shënoi dy gola në fitoren ndaj Prishtinës duke e ndihmuar ekipin e tij që ta mbetet në garë për titull të kampionit me vetëm dy pikë më pak se kryesuesi Ballkani.

Hyseni është golashënuesi më i mirë i ligës elitare kosovare me 21 gola, shkruan “Gazeta Express”.

Ai ndihet mirë për këtë çmim, të cilin e fitoi për herë të pestë në këtë edicion.

“Ndihem jashtëzakonisht mirë pasi që për herë të pestë shpallem “Ylli i Javës”, çmim ky që vjen pas paraqitjeve shumë të mira në vazhdimësi të të gjithë ekipit. Kjo po më ndihmon edhe mua të realizoj gola dhe të fitoj këtë çmim. Tek Llapi kemi një atmosferë fantastike dhe jemi shumë të bashkuar, andaj besoj që do ta mbyllim sezonin me trofeun e kampionit që e kemi si synim. Na mbetet që edhe këto pesë ndeshjet e fundit të japim maksimumin dhe t’i gëzojmë gjithë tifozët llapjanë dhe “Legjendat”, tha Hyseni për faqen zyrtare të FFK-së.

Sulmuesi i rrezikshëm me gjasë është duke i kaluar javët e fundit në futbollin kosovar pasi gjatë verës që vjen pritet në transferohet në një ligë më të fortë evropiane, ndërsa fillimisht synon ta fitojë titullin e kampionit me Llapin.