Shkarkimi i kryetarëve

Votimi për shkarkimin e kryetarëve në veri më 21 prill, por kur do të hiqen sanksionet?

Caktimi i datës së zgjedhjeve në veri për katër komunat atje, pothuajse gjithmonë është ndërlidhur nga ndërkombëtarët me heqjen e sanksioneve.

Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi 21 prillin si datë për votimet për shkarkimin e kryetarëve në veri, duket se kanë lëvizur edhe nga Bashkimi Evropian.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szynog, deklaroi në KTV se zgjedhjet e reja në veri, hapin rrugë për heqjen e sanksioneve.

“Votimet e reja në të katër komunat veriore do të ndihmonin për të filluar me diskutimet se si të hiqen masat e BE-së”, tha ai.

Szunyog më tej pohoi se është propozuar që “mënyra më e lehtë do të ishin zgjedhjet e parakohshme përmes dorëheqjes së katër kryetarëve dhe në rastin ideal edhe të asamblistëve të kuvendeve komunale”, deklaroi më tutje shefi i BE-së.

KQZ-ja edhe zyrtarisht kreu verifikimin e nënshkrimeve të serbëve që inicuan shkarkimin e kryetarëve në veri. Tash, fillimisht duhet që 50% + të votojnë për shkarkimin e kryetarëve më 21 prill, në mënyrë që t’i hapet rruga heqjes së sanksioneve.

Se a do të ndodh kjo apo jo, mbetet të shihet.

Deklaratat e Bislimit

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ashtu sikur gjithmonë, kishte dhënë deklarata kushtëzuese kohë më parë për këtë temë. Ai kishte thënë se zgjedhjet nuk duhet të shpallen pa u hequr sanksionet.

Bislimi, sipas REL, thoshte se është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve pas dakordësimit mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllav, ku Prishtina u pajtua për zvogëlimin prej 25% të pranisë së njësive speciale policore, ndonëse qëndrimi zyrtare i BE-së është se ky reduktim si hap i parë është i mirë por i pamjaftueshëm.

Bislimi tha se nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e tyre, përcjell REL. “Është problem i brendshëm i Kosovës për cilin nuk ka dakordim se a mjafton udhëzim administrativ, apo duhet ligj”, tha ai.

Thirrje për heqjen e sanksioneve ka pasur në mënyrë të vazhdueshme, megjithatë BE-ja vlerësonte se Kosova nuk po bënte mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri dhe veprime lidhur me zgjedhjet.

Sanksionet kishin ardhur pasi qeveria kishte dërguar kryetarët e komunave në veri, pa koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi i KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që me 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vendimi pasoi verifikimin e listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticioni gjatë muajit janar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Për t’u konsideruar i suksesshëm peticioni duhej të nënshkruhej nga 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

“Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për përgatitjen procedurale dhe organizimin në aspektin teknik të këtij procesi, Sekretariati i Komisionit Qendror të zgjedhjeve konsideron se koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill e vitit 2024”, tha drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj.

Në mbledhjen e radhës më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar buxhetin për organizimin e procesit që do të mbahet më 21 prill.

Buxheti i planifikuar është 233 mijë e 204 euro.

“Gjithashtu, në këtë mbledhje KQZ shqyrtoi dhe miratoi planifikimin buxhetor për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro”, tha Valmir Elezi.

Nëse më shumë se 50% e qytetarëve në komunat veriore votojnë për largimin e kryetarëve, atëherë i hapet rruga shpalljes së zgjedhjeve.

VIDEO BONUS: FSK furnizohet me 15 kamionë gjermanë, Kurti: Serbia është agresive, por kjo nuk na frikëson