Telefoni

Telefoni duhet fikur së paku një herë në javë

E fikni ndonjëherë telefonin? Nëse përgjigja është jo, duhet të ndryshoni dhe ta fikni dhe ndizni telefonin të paktën një herë në javë.

Është vetëm një nga rekomandimet e Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare (NSA), e cila ka publikuar një sërë këshillash të tjera për përdoruesit e telefonave për t’i mbrojtur nga sulmet e hakerëve dhe viruseve.

Telefoni mund të ndikohet nga një sërë kërcënimesh sigurie, nga ‘phishing’, ‘malware’ e deri te ‘spyware’, shkruan DailyMail.

Një mënyrë për t’u mbrojtur nga sulmet që mund të infektojnë pajisjen tuaj pa asnjë ndërveprim nga ana juaj është të fikni periodikisht telefonin dhe pastaj ta ndizni përsëri, të paktën një herë në javë. Ky veprim i thjeshtë mund ta bëjë më të vështirë për hakerat vjedhjen e informacionit nga telefoni, megjithëse NSA-ja paralajmëron se jo gjithmonë do ta parandalojë sulmin.

Përveç fikjes së telefonit, NSA-ja këshillon përditësimin e rregullt të aplikacioneve dhe sistemit operativ për të marrë përditësimet më të fundit të sigurisë.

Instaloni aplikacione vetëm nga dyqanet zyrtare, të tilla si Apple App Store ose Google Play Store.

Jini të kujdesshëm ndaj rrjeteve publike Wi-Fi dhe shmangni ato kur është e mundur. Fikni Bluetoothin kur nuk e përdorni për të parandaluar që pajisjet e tjera të lidhen dhe të kenë qasje në telefonin tuaj, thuhet tutje në rekomandimet e NSA-së.