Superpuna

“Superpuna” apo “Superdështimi” i Qeverisë? Ankohen bizneset dhe të punësuarit

Në shkurt të vitit 2023 Qeveria e Kosovës, respektivisht kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati patën prezantuar platformën “Superpuna”, si një mundësi për uljen e papunësisë te të rinjtë.

Qeveria e Kosovës, përmes platformës “Superpuna”, synoi që vetëm gjatë vitit 2023 t’i punësojë 10 mijë të rinj në profesione të ndryshme, të rinj prej moshës 18 vjeç deri në 25. Kjo platformë më shumë se për të rinjtë, u pa si mundësi shumë e mirë edhe për bizneset, të cilat kishin nevojë për punëtorë, por që ekonomikisht qëndronin dobët. Një vit pas, kjo platformë nga bizneset dhe ata që janë punësuar po shihet si dështim.

Disa prej tyre janë ankuar në adresë të “Zeri.info”.

H.Y. (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se që nga nëntori i vitit të kaluar është punësuar në një biznes, por që pagën e ka marrë vetëm një herë nga ana e Qeverisë dhe një herë është paguar nga biznesi ku është punësuar.

“Na ka dalë vetëm paga e dhjetorit, edhe ajo na ka dalë në fund të janarit, edhe ma hiç asnjë cent”, u shpreh ky i punësuar.

Një biznes që ka punësuar rreth 6 persona përmes platformës “Superpuna” ka thënë se me punësimin e këtyre të rinjve më shumë i janë vështirësuar financat.

“Kam apliku në ‘Superpunë’ se kisha nevojë për punëtorë, po s’kisha mundësi me i pagu, po prej kur kanë ardhë këta të rinj më shumë jemi tu pas probleme financiare, sepse vetë po duhet t’i paguajmë këta punëtorë”, ka thënë ky përfaqësues i një biznesi, që pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.

Zeri.info merr vesh nga burime të saj brenda Thesarit të Shtetit se për platformën “Superpuna” janë procesuar të dhënat vetëm për muajin dhjetor, ndërkaq për muajin janar akoma jo.

Duke i parë këto ankesa, “Zëri” ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave më 20 shkurt të këtij viti dhe qe gjashtë ditë akoma nuk kemi marrë asnjë përgjigje se cila është arsyeja që po ka probleme në ekzekutimin e pagesave për këta të rinj.

Në anën tjetër, duke i parë këto probleme me të cilat po ballafaqohen bizneset dhe të rinjtë e punësuar, për ekspertin e ekonomisë Safet Gërxhaliun kjo platformë më shumë është një “superdështim”.

Gërxhaliu ka thënë se kjo platformë më shumë është politike sesa sociale.

“Është e vërtetë që Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale nga fakti që po shpikin ide të ndryshme vetëm për të mbuluar realitetin e hidhur të krijuar në Kosovë. Flitet domethënë për një qasje shumë më tepër sociale që është duke dominuar në Kosovë, shumë më tepër qasje sociale sesa zhvillimore, edhe në këtë drejtim po bëhen skema të ndryshme që janë të kalkuluar shumë më tepër në aspektin politik sesa social. E kemi pasur edhe dukurinë ose fenomenin e ‘Superpunës’. Është promovuar nga ana e Qeverisë si një e arritur shumë e madhe që garanton punësim dhe përmirësim të gjendjes sociale në Kosovë, mirëpo e vërteta është se edhe sektori privat, por edhe vetë të papunët po kanë probleme të shumta. Sektori privat ballafaqohet me një burokraci nga institucionet, e cila nuk i kompenson obligimet që i ka në këtë projekt.

Në anën tjetër, qytetarët kanë probleme të shumta, por edhe bizneset që komunikimi qoftë përmes internetit, ose në forma të tjera vërtet është shumë burokratik, shumë e vështirë dhe definitivisht e tëra kjo si duket do të mbetet prapë barrë e sektorit privat, sepse nuk ka reflektim. Prandaj besoj që gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin. Është shumë më e mirë të dihet e vërteta sesa të tentohet të hijeshohet një e vërtetë e hidhur dhe në këtë drejtim po humbet shpresa se në Kosovë ka perspektivë, se në Kosovë mund të krijohet një mirëqenie dhe zhgënjimi po rritet çdo ditë e më tepër, sidomos kur kemi premtim institucional shumë të madh”, u shpreh Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, ky është edhe një dështim i radhës i Qeverisë së Kosovës në aspektin ekonomik.

“Definitivisht duhet të analizohet fare mirë dhe në këtë drejtim shumë më tepër ka dështim se që ka zhvillim ose efekte pozitive, por këtë e di më së miri qytetari, këtë po e kupton biznesi dhe besoj që me kalimin e kohës shumëçka që nuk ka substancë po demaskohet”, theksoi Gërxhaliu.

Platforma “Superpuna” ishte krijuar nga Qeveria e Kosovës si një mundësi e mirë për punësimin e të rinjve nga mosha 18 deri në 25 vjeç, por që në fillim të këtij viti Ministria e Financave kishte bërë të ditur se duke e parë interesimin e madh, kanë vendosur që t’u japin mundësi edhe personave deri në 29 vjeç, pra aktualisht të gjithë personat nga 18 deri në 29 vjeç mund të aplikojnë për punësim, por nëse nuk ndryshon ndonjë gjë, ata do të përballen me problemet që janë duke u përballur edhe të punësuarit, por edhe bizneset.