Blerim Latifi

Latifi për deklaratat anti-UÇK: Në një klimë të tillë, armët e botës me i pasë kapitullon brenda ditës

Filozofi e analisti politik, Blerim Latifi ka reaguar për deklaratat anti-UÇK të cilat kohëve të fundit kanë filluar të shtohen. Latifi fillimisht ka bërë një analizë, me atë se si Gjermania megjithë “mëkatet” historike e mbron luftëtarin.

“. Ditë më parë Bundestagu nxori një ligj me të cilin u vendos të kremtohej Dita e Veteranëve, e cila u kushtohet gjithë atyre që kanë shërrbyer nën uniformën e Bundesverit. Qëllimi është krejtësisht i qartë: ringjallja e ndjenjave patriotike tek qytetarët në kohën kur Europa kërcënohet nga shpërthimi i luftërave të reja. Krejt kjo mbështetet mbi një fakt të mirënjohur: në luftë nuk mjaftojnë vetëm armët e sofistikuara; duhet edhe atdhedashuria. Të parat pa të dytën janë të padobishme, janë barot i lagur. “ – ka shkruar Latifi.

Tutje ai ka thënë se në Kosovë, me këtë klimë nuk do të mjaftonte as armët e botës po t’i kishim, e do të kapitullonim që në të shtënat e para.

“Këtu patriotizmi, shqiptarizmi, e lufta e UÇK- së shahen e përbuzen natë e ditë nga turlifar budalle e snobi kozmpolit, saqë njerëzit kanë filluar edhe të kenë drojë nga përmendja e tyre. Në një klimë të tillë shpirtnore një gjë është e sigurtë: armët e botës me i pasë në dispozicion, kapitullon brenda ditës, që në të shtënat e para. Sepse atdhedashuria është punë e shpirtit. Sepse, parasegjithash, lufton shpirti, e jo hekuri i vdekur.” – ka shkruar ai.