Stërgjyshja 92-vjeçare synon të jetë vullnetare në “Tokio 2020”

Stërgjyshja Setsuko Takamizawa është e vendosur të dëshmojë se kurrë nuk është vonë të mësohet, ndërsa po planifikon të mësojë gjuhën angleze para Lojërave Olimpike në Tokio vitin e ardhshëm.

Asaj i ishte ndaluar të mësonte atë që quhej “gjuhë e armikut” sa ishte e re.

Kur Japonia organizoi Lojërat Olimpike Verore të vitit 1964, Takamizawa ishte tepër e zënë me familje për të shkuar në ndonjë ngjarje apo për t’i kushtuar tepër vëmendje, raporton Reuters, përcjell Koha.net.

Ajo do të jetë 92-vjeçare kur Lojërat Olimpike të kthehen sërish në Tokio në korrik të vitit të ardhshëm dhe kësaj radhe ajo dëshiron të jetë sa më afër që të jetë e mundur në këtë ngjarje.

Ajo është një nga 200 mijë personat që kanë aplikuar për vullnetarë në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike, duke shpresuar që të jetë pjesë e ushtrisë së njerëzve që duhet për të ndihmuar dhe udhëzuar mijëra tifozë të huaj nëpër qytet.

Ndonëse nuk është detyrim, aftësia për të folur gjuhën angleze është shkathtësi kyç që kërkojnë organizatorët dhe Takamizawa është e vendosur që më në fund të shfrytëzojë mundësinë për të mjeshtëruar këtë gjuhë.

“Kur isha në vitin e parë të shkollës së mesme, shpërtheu Lufta e Dytë Botërore. Në vitin tim të dytë në shkollë, anglishtja u ndalua pasi ishte gjuha e armikut”, rrëfen Takamizawa.

Takamizawa thotë se nipërit e saj e kanë bindur se nuk është tepër e vjetër për të mësuar.

“Unë nuk flas fare anglisht, kështu që kam dëshirë të flas anglisht”, thotë Takamizawa derisa viziton Stadiumin Olimpik që është në ndërtim e sipër në qendër të Tokios, transmeton Koha.net. “Kur u kam thënë nipërve të mi dëshirën time, ata më thanë: ‘Nuk është tepër vonë. Ne do të mësojmë nga një fjalë në ditë. Do të jetë sfidë e mirë për ty’. Këtu nisi çdo gjë”.

Sipas organizatorëve, më pak se një për qind të aplikantëve për programin e vullnetarëve janë mbi 80 vjet.

Mirëpo, ajo e di se aftësia për të folur gjuhën angleze do të ndihmojë të arrijë qëllimin, për të ndarë storien e saj me njerëzit nëpër botë.

“Kur ia mësova fjalën ‘bota’, gjyshja tha: ‘Këtë dua të di, botën dhe vendin tënd. Dua të di për botën tënde'”, rrëfen mbesa e Takamizawas, Natsuko.

Natsuko flet anglisht dhe është bërë mësuese e gjyshes së saj.

“Ajo që dua nuk është vetëm mundësia për të folur anglisht, por edhe të takoj njerëz nga kultura të ndryshme dhe vlera të ndryshme duke përdorur anglishten si mjet”, shton Takamizawa. “Kjo do të ishte gjëja më e mirë”.

Sipas, EF English Proficiency Index, Japonia rangohet e 49-ta në mesin e shteteve ku anglishtja nuk është gjuhë e parë, e që e zotërojnë këtë gjuhë. Është më poshtë se Kili, Bjellorusia apo Koreja e Jugut fqinje.

Kjo është duke ndryshuar gradualisht, pasi gjeneratat e reja janë duke përqafuar anglishten dhe po mësohet në shkollë nga një moshë shumë e re.

Mirëpo Takamizawa beson se ndryshimi i madh nuk do të ndodhë përderisa japonezët nuk do të bëhen më të hapur ndaj pjesës tjetër të botës.

“Ne duhet të jetojmë dhe veprojmë jo vetëm si japonezë, por si anëtarë të botës”, thotë 92-vjeçarja.

Natsuko ia dërgon gjyshes së saj nga një fjalë anglisht për të mësuar çdo ditë në celular dhe ato ulen së bashku rregullisht për të punuar në fraza kyç që Takamizawas do t’i duhen në Lojërat Olimpike.

“Mirë se vini në Tokio, ky është stadiumi olimpik, si mund të ndihmoj?”, thotë Takamizawa në gjuhën angleze.

Për mbesën e saj, ky është burim për një gëzim të vërtetë.

“Qëllimi im ishte se doja t’i jepja asaj diçka për t’u gëzuar në të 90-at. Për mua është thjesht argëtim të flas me të dhe të pres përgjigjen e saj, e admiroj punën e saj të madhe. Unë mund të shoh se anglishtja e saj po bëhet më mirë, është kënaqësi ta shoh”, rrëfen Natsuko.

Me më pak se 500 ditë deri te fillimi i Lojërave Olimpike, gjithë familja Takamizawa është e gatshme të presë botën në Tokio.

“Sigurisht se jam e emocionuar. Unë kurrë nuk kam menduar se do të shoh Lojërat Olimpike në Tokio dy herë në jetën time. Është mirë të jetosh gjatë”, thotë 92-vjeçarja.